Zhvillohet kursi i dytë i SHSHSP

E Premte, 12 Prill 2013



Kursi i dytë kombëtar i Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike u zhvillua në datat 12-14 Prill 2013 në Gjirokastër. Tematika e këtij kursi "Fushatat politike dhe lidershipi", u trajtuan nga dy ekspertë të huaj, të cilët sollën eksperiencat më bashkëkohore në këto fusha. Nëpërmjet diskutimeve të hapura pjesëmarrësit e programit patën mundësinë që të krijojnë një vizion të qartë për aspekte të rëndësishme të karrierës së tyre.

Sesioni i parë u fokusua tek tema Sfidat e komunikimit për fushatat e qeveritë. Z. Ian Marquardt, një nga partnerët e kompanisë "Loftus/Marquardt", e cila është e njohur si konsulente për fushata politike në shumë vende të botës, shpjegoi strategjitë e komunikimit politik në bazë të dy rasteve studimore nga Bullgaria e Kosova. Pjesëmarrësit morën udhëzime konkrete e trajnim sa i përket teknikave të komunikimit nëpërmjet dy seminareve të veçanta Hartimi i Mesazhit dhe Transmetimi i Mesazhit që u fokusuan në rregullat për të krijuar e hartuar një mesazh fitues politik qoftë me shkrim, apo edhe verbal nëpërmjet adresimit të një sërë aspektesh, si për shembull, gjuha, simbolet, argumentimi dhe efiçenca kundrejt standardeve etike. Në përfundim të sesionit, pjesëmarrësit vunë veten në rolin e një lideri politik dhe drejtuan mesazhe politike, të cilat u regjistruan dhe u diskutuan më pas nga grupi.

Në pjesën e dytë të kursit, Dr Frank Prochaska, nga Universiteti i Kolorados, SHBA, trajtoi temën e lidershipit në kuadrin e një ushtrimi gjithëpërfshirës me synimin për të zhvilluar themele të reja konceptuale mbi lidership-in demokratik efektiv si dhe ndryshimin. Pjesëmarrësit ishin në gjendje të identifikonin e të punonin për përmirësimin e aftësive të nevojshme për proceset e menaxhimit të ndryshimit nëpërmjet ushtrimeve për zgjidhjen e problemeve në mënyrë interaktive me objektiv fuqizimin e kapaciteteve individuale e ato në ekip, profilet e lidership-it, puna efektive në grup, etj. Me përfundimin e trajnimit, pjesëmarrësit morën edhe një çertifikatë nga Pro System Intl. dhe Colorado Technical University.

Pjesëmarrësit patën mundësi gjithashtu që të vizitonin edhe qytetin e gurtë të Gjirokastrës dhe të njihen me historikun e tij. Zhvillimi i kursit ngjalli interes edhe nga media lokale, të cilat e pasqyruan këtë event në edicionet e lajmeve.