Kursi i tretë i Shkollës me fokus integrimin evropian

E Hene, 11 Qershor 2018



Integrimi evropian dhe vendimi i pritshëm për hapjen e negociatave ishte fokusi i kursit të tretë të Shkollës së Studimeve Politike. Trajnimi u zhvillua në hotel “Bologna”, në Vlorë në datat 8-10 qershor 2018, me prezencën e lektorëve të përzgjedhur vendas dhe të huaj.

Eksperti ndërkombëtar i sigurisë, z. Alexis Vahlas, u ftua në këtë kurs me synim për të trajtuar sfidat e reja me të cilat po përballet BE: radikalizimi islamik, rritja e influencës ruse si dhe valët e emigracionit. Diskutimi me pjesëmarrësit krijoi një vështrim më të qartë të problematikave të brendshme të BE-së si dhe masat e mundshme për të përballuar këto rreziqe të reja, të cilat kanë ndikim në valën e populizmit dhe mbylljes së mëtejshme të BE-së. 

Ndërkohë,  z. Gentian Elezi, drejtor i Institutit Agenda dhe ish-zv.ministër i Integrimit, prezantoi rrugën e deritanishme të Shqipërisë drejt BE-së dhe mekanizmin e para-aderimit, së bashku me hapat e mëtejshëm në rast të hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian.

Tematika e të drejtës së informimit dhe mbrojtja e të dhënave personale, si kritere të rëndësishme për integrimin evropian, u prezantuan nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z.Besnik Dervishi. Diskutimi informoi pjesëmarrësit jo vetëm mbi strategjitë dhe nivelin e zbatimit të tyre, por edhe mbi raste praktike të shkeljes së këtyre të drejtave të rëndësishme nga institucionet e ndryshme.

Një tjetër temë e rëndësishme, barazia gjinore, por e lidhur gjithashtu me zhvillimin ekonomik, u trajtua nga eksperti i politikave gjinore, z. Rezart Xhelo, i cili është njëkohësisht edhe alumni i Shkollës.