Takim koordinues mes kërkuesve dhe bashkisë Tiranë

E Marte, 24 Korrik 2018



Koordinimi me bashkinë Tiranë mbi punimet kërkimore të Programit të Kërkimit të Politikave për Akademikët e Rinj vazhdon edhe në këto ditë të nxehta. 10 kërkuesit e përfshirë në këtë program kanë nisur tashmë detajimin e temave të kërkimit si dhe përcaktimin e fazave të mëtejshme të punës në terren. Për të bashkërenduar më mirë punën e tyre dhe siguruar mbështetjen e duhur nga bashkia Tiranë, u zhvillua sot një takim i kërkuesve me përfaqësuesin e bashkisë, z. Indrit Puteci, këshilltar pranë kryetarit të bashkisë si dhe koordinatorin e Akademisë së Studimeve Politike dhe PERFORM.   

Punimet do të fokusohen më konkretisht në këto tema:

1. Zhvillimi i tregjeve bujqësore në zonat rurale të Bashkisë së Tiranës, për të rritur cilësinë e prodhimeve të këtyre zonave.
2. Arsimi gjithëpërfshirës dhe mbështetja me programe të edukimit social drejt shkollave më miqësore dhe bashkëkohore në përgjigje të sfidave të kryeqytetit.
3. Zhvillimi i një plani për përmirësimin e emergjencave civile.
4.  Menaxhimi profesional i objekteve të trashëgimisë për t'u bërë fitimprurëse.
5.  Përfshirja e grave nga zonat rurale në praktikat e vendimmarrjes që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së tyre dhe atë të komunitetit.

Diskutimet në takim ndihmuan gjithashtu për të rakorduar më mirë pritshmëritë e synuara nga rezultati final i punimeve. Nën mentorimin e ekspertëve të Qendrës Ndërkombëtare për Advokim të Politikave (ICPA), kërkuesit duhet të nisin tashmë përgatitjen e punimeve, të cilat duhet të dorezohen pranë Bashkisë Tiranë në muajin nëntor.

Ky program financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe zbatohet nga Helvetas Swiss Intercooperation në partneritet me Universitetin e Friburgut.