Akademikët e rinj trajnim mbi kërkimin mbi politikat publike

E Hene, 08 Tetor 2018



Trajnimi i dytë i Programit të Kërkimit të Politikave për Akademikët e Rinj (PRYA) po zhvillohet në Tiranë nga datat 3-5 tetor 2018, me fokus aftësimin mbi shkrimin e kërkimit dhe influencimin mbi politikat publike.  Workshopi për 10 kërkuesit e përfshirë në program po drejtohet nga Z. Lucian Ciolan, dekan i Fakultetit të Psikologjisë dhe Shkencave Edukuese në Bukuresht dhe Z. Vladimir M. Pavlovic, trajnues ekspert pranë “Belgrade Open School”, të cilët janë gjithashtu ekspertë të Qendrës Ndërkombëtare për Advokim të Politikave (ICPA), me qendër në Berlin.

Trajnimi do të zgjasë dy ditë e gjysëm, duke përfshirë edhe punën direkte tutoriale të ekspertëve mbi pesë punimet e përgatitura deri më tani nga kërkuesit. Këto punime do të dorezohen pranë Bashkisë Tiranë në muajin nëntor me qëllim ofrimin e ekspertizës së akademikëve të rinj mbi politikat e bashkisë së kryeqytetit.

Ky program financohet nga PERFORM, projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), i cili zbatohet nga Helvetas Swiss Intercooperation në partneritet me Universitetin e Friburgut. Akademia e Studimeve Politike është partneri zbatues dhe koordinues me kërkuesit dhe bashkinë Tiranë, me qëllim lidhjen më të mirë të kërkimit me politikëbërësit.