Dorëzohet pranë ASPA kurrikula e Akademisë së Lidershipit

E Hene, 15 Tetor 2018



Akademia e Studimeve Politike përfundoi me sukses zbatimin e ciklit të parë të Programit të Akademisë së Lidershipit (Leadership Academy Programe – LAP), program i Qendrës së Ekspertizës së Këshillit të Evropës. Falë zbatimi praktik të kurrikulës në këtë cikël dhe ekspertizës së trajnerëve shqiptarë të angazhuar, kemi tashmë në dorë një kurrikul të adaptuar në kontestin shqiptar të LAP, të cilën po e dorëzojmë zyrtarisht pranë Shkollës Shqiptare të Administratës Publike (ASPA).

Bazuar mbi Marrëveshjen e Bashkëpunimit, ASPA do të vendosë në përdorim këtë kurrikul si dhe të përdorë grupin e ekspertëve të trajnuar dhe certifikuar nga Qendra e Ekspertizës e Këshillit të Evropës, për organizimin e kurseve të mëtejshme të saj me fokus lidershipin nën koordinimin e ASP si organizatë partnere. ASP u njoh gjithashtu nga Këshilli i Evropës si partner zbatues i kurrikulës LAP për territorin shqiptar dhe do të ketë të drejtën për ta përdorur atë në trajnime për institucionet qendrore dhe vendore apo dhe subjekte të sektorit privat.

Programi i Akademisë së Lidershipit (LAP), u zbatua falë mbështetjes së projektit "Forcimi i strukturave të qeverisjes vendore në Shqipëri - faza III", mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe bashkëpunimit me Qendrën e Ekspertizës pranë Këshillit të Evropës dhe Shkollën Shqiptare të Administratës Publike (ASPA).