Trajnohen mesuesit e TIK mbi mbrojtjen nga ekstremizmi online

E Marte, 16 Tetor 2018



Akademia e Studimeve Politike zhvilloi sot trajnimin e rreth 30 mësuesve dhe nxënësve që menaxhojnë faqet online dhe mediat sociale të dhjetë shkolla të mesme të zonave rurale të qarkut Tiranë, me qëllim rritjen e njohurive mbi teknikat e komunikimit ndaj ekstremizmit të dhunshëm si dhe të promovimit të shembujve pozitivë në komunitete të ndryshme.

Të ftuar në këtë trajnim ishin z. Ilir Kulla, ekspert i çështjeve të sigurisë, i cili trajtoi temën "Situata aktuale e ekstremizmit në botë dhe sfidat e përballjes me këtë rrezik në Shqipëri"; si dhe z. Granit Sokolaj, ekspert i komunikimit, i cili trajtoi temëm "Komunikimi online dhe promovimi nëpërmjet mediave sociale". Mësuesit e vlerësuan si mjaft të nevojshëm këtë trajnim, pasi ata gjenden përballë sfidave të shumta me të rinjtë dhe komunitetin pa patur informacionin dhe mjetet e duhura.

Projekti i zbatuar nga Akademia e Studimeve Politike ka si qëllim ngritjen e një modeli bashkëpunimi mes mësuesve, prindërve dhe nxënësve për të kuptuar shenjat e para të radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm të të rinjve dhe adresuar këto raste në bashkëpunim mes tyre dhe me aktorë të tjerë të komunitetit (pushteti vendor, policia, drejtuesit fetare, organizatat lokale të të rinjve).
 
Programi zbatohet në kuadër të nëngranteve të projektit “Fuqizimi i Shoqërisë Civile për Rritjen e Reziliencës së të Rinjve ndaj Ekstremizmit të Dhunshëm”, financuar nga Bashkimi Evropian në partneritet me Terre des Hommes Shqipëri, Universitetin Beder, "Institute for Strategic Dialogue" dhe "Centre for Common Ground".