Diplomohet gjenerata e dymbëdhjetë e Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike

E Hene, 17 Dhjetor 2018



Një grup prej 20 udhëheqësish të rinj politikë, aktivistëve civilë dhe nëpunësve publikë, u diplomuan sot nga "Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike". Të diplomuarit përfunduan me sukses një cikël njëvjecar studimi, i cili përfshin lektrime, vizita studimore dhe punime kërkimore fokusuar mbi mirëqeverisjen dhe reformat e rëndësishme në vend. Presidenti i Republikës, z.Ilir Meta, zv.kryeministrja znj. Senida Mesi dhe ambasadori Zviceran në Tiranë, z. Adrian Maître, shpërndarë certifikatat dhe përgëzuan pjesëmarrësit për këtë moment të rëndësishëm.

Presidenti i Republikës, z. Meta u shpreh në përshëndetjen e tij: “Jam i sigurt se ju ndiheni më të përgatitur, më me vetëbesim dhe më entuziastë për të ardhmen se një vit më parë. Diplomimi i sotëm nuk është fundi i një rrugëtimi të vështirë, por vazhdimi i përpjekjeve për përmbushjen e qëllimeve dhe potencialit tuaj në jetë.” Më tej, ai u ndal edhe në situatën e protestave të studentëve: “Të gjithë ne, si përfaqësues të institucioneve dhe në përgjithësi si shoqëri, na duhet të reflektojmë thellë për kapitalizimin e këtij potenciali të jashtëzakonshëm njerëzor e rinor në dobi të të ardhmes së gjithë vendit. Në këtë kontekst, nuk mund të shmang apelin e përsëritur për të reflektuar me shpejtësi, me përgjegjshmëri dhe maturi ndaj protestës së studentëve që po zhvillohet në disa qytete kryesore të vendit. Unë kam besim se Kuvendi i Shqipërisë do të reflektojë për një bashkëpunim gjithëpërfshirës me qëllim plotësimin e këtyre kërkesave të drejta në interesin më të mirë, jo thjesht të studentëve, por në radhë të parë në interesin më të mirë të gjithë vendit” - – iu drejtua Presidenti Meta të pranishmëve.

Znj. Senida Mesi, duke përgëzuar të diplomuarit dhe rrjetin e madh të alumnëve të Shkollës, u ndal në fjalën e saj në rolin që luan ky program në zhvillimin e një platforme dialogu mes pjesëmarrësish nga bindje dhe profile të ndryshme, me qëllim ofrimin e ekspertizës së tyre mbi reformat e rëndësishme të ndërmarra nga qeveria shqiptare. “Ju ftoj që të kontribuoni me eksperiencat tuaja të vlerësuara në reformën në administratën publike apo edhe sektorë të tjerë, të cilët kanë nevojë për një pjesëmarrje dhe angazhim të gjerë dhe kërkojnë përfshirje dhe angazhim shumëplanësh”- u shprej znj. Mesi.  

Ambasadori Maitre përgëzoi të diplomuarit për këtë hap të rëndësishëm të hedhur në edukimin e tyre: “Sot, pas diplomimit, ju merrni mbi vete përgjegjësinë e ndarjes dhe aplikimit të aftësive dhe njohurive tuaja për zhvillimin e mëtejshëm të shoqërisë. Shqipëria ka nevojë që ju të bëheni modele pozitive në udhëheqjen politike. Për një ndryshim të vërtetë dhe të qëndrueshëm dhe transformim, kërkohet që ajo që mësojmë të gjejë aplikakim dhe të zbatohet në jetën reale”, - nënvizoi ambasadori.

Dy të diplomuar, znj. Erinda Toska dhe z. Sidrit Tako, përshëndetën gjithshtu të ftuarit në emër të gjeneratës së tyre dhe ndanë eksperiencat në pjesëmarrjen e tyre në program.

Ceremonia vazhdoi më tej me takimin vjetor festiv të rrjetit alumni të shkollës. Shkolla krenohet me mbi 300 alumnët e saj, të cilët aktivizohen në iniciativa të ndryshme kombëtare dhe rajonale edhe pas përfundimit të programit.

Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike u themelua në Shqipëri në vitin 2007 nga Këshilli i Evropës dhe është pjesë e një rrjeti të gjerë të shkollave në 21 vende me demokraci të reja të Evropës Lindore dhe Juglindore. Shkolla është mbështetur gjithashtu nga Ambasada e Zvicrës gjatë tetë viteve të fundit së bashku me programin e saj të trajnimit të autoriteteve të qeverisjes vendore. Shkolla synon promovimin e një kulture moderne politike bazuar në vlerat e pluralizmit, tolerancës dhe dialogut dhe në ndërtimin e një komuniteti të liderëve të rinj politikë dhe demokratikë.