E Premte, 23 Nentor 2018

Akademia e Studimeve Politike organizoi në datat 22-23 nëntor sesionet e prezantimit të pesë kërkimeve mbi politikat e bashkisë Tiranë në kuadër të "Programit të Kërkimit të Politikave për Akademikët e Rinj" (PRYA). Kërkuesit prezantuan studimet e tyre në panele ekspertësh, të cilët u ftuan të ofrojnë komentet dhe rekomandimet mbi draftet, me synim përmirësimin e mëtejshëm të punimeve përpara prezantimit final të tyre. Pjesë e sesioneve ishin dhe përfaqësues të bashkisë Tiranë, të cilët do të jenë edhe përfituesit e këtyre studimeve.
"Programi i Kërkimit të Politikave për Akademikët e Rinj" (PRYA), ka në fokus 10 kërkues të rinj akademikë, të cilët po trajnohen dhe mbështeten financiarisht për të hulumtuar mbi pesë politika me interes për t’u zbatuar nga Bashkia e Tiranës. Kërkuesit po mentorohen në punimet e tyre nga Qendra Ndërkombëtare për Advokim të Politikave ICPA, me seli në Berlin, Gjermani. Ky program financohet nga PERFORM, projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), i cili zbatohet nga Helvetas Swiss Intercooperation në partneritet me Universitetin e Friburgut.