Shkollat Politike ulin së bashku parlamentarët shqiptarë dhe malazezë

E Marte, 23 Prill 2019



Tema e Mobilitetit Urban mblodhi sot së bashku në Tiranë parlamentarët shqiptarë dhe malazezë. Anëtarët e komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin të Kuvendit të Shqipërisë dhe një grup prej 8 deputetësh dhe staf i parlamentit të Malit të Zi, ndoqën prezantimet e ekspertit Aljaz Plevnik dhe shembuj konkretë nga eksperienca sllovene me objektiv forcimin e kapaciteteve të parlamentarëve për të ndikuar në procesin e vendimmarrjes politike në këtë fushë.
 
Eventin e përshëndeti z. Niko Peleshi, Kryetar i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit, Shqipëri, z. Aleksandar Damjanovic, Kryetar i Komisionit të Ekonomisë, Financave dhe Buxhetit, Mali i Zi si dhe znj. Jasna Sekulovic, Menaxhere Rajonale e Projektit GIZ ORF EE.

Mobiliteti urban është i lidhur ngushtë me politikat e tjera të Bashkimit Evropian si energjia, ndryshimet klimatike, ekonomia, barazia sociale, inovacioni etj. Qytetet në Evropë po përballen gjithnjë e më tepër me probleme të shkaktuara nga transporti dhe trafiku. Në të njëjtën kohë, lëvizshmëria urbane është jetike për qytetet evropiane dhe është një kontribues i madh në rritjen ekonomike, në krijimin e vendeve të punës dhe në rritjen e konkurrencës. Për këtë qëllim, kërkohet një angazhim shumëplanësh i aktorëve të ndryshëm vendimmarrës, biznesit dhe shoqërisë civile për të adresuar problematikat e zhvillimit urban të qyteteve tona. 

Ky workshop është pjesë e bashkëpunimit të Shkollave të Studimeve Politike në rajon, në kuadër të programit "Bashkëpunimi rajonal dhe zhvillimi i kompetencave të parlamentarëve të Evropës Juglindore për efiçencën e energjisë, ndryshimet klimatike dhe mobilitetin urban", i financuar nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ)