Presidenti i Shoqatës së Shkollave Politike viziton Shqipërinë

E Shtune, 18 Maj 2019



Presidenti i Shoqatës së Shkollave të Studimeve Politike të Këshillit të Evropës Z. Nils Muižnieks zhvilloi një vizitë në Shqipëri nga 16-18 maj 2019 me ftesë të Akademisë së Studimeve Politike. Z. Muižnieks ishte një nga folësit e ftuar në kursin e tretë kombëtar të programit të Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike, mbajtur në Durrës. Tema e seminarit ishte "Populizmi në Evropë si një kërcënim për demokracinë dhe të drejtat e njeriut", e lidhur me temën kryesore të kursit të fokusuar në integrimin evropian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor. Diskutimet trajtuan gjithashtu sfidat e besimit të qytetarëve ndaj elitave të tyre politike dhe dështimin e të majtëve evropianë për të ofruar alternativa frymëzuese ndaj ankthit evropian mbi krizën ekonomike, refugjatët dhe emigrantët.

Më pas z. Muižnieks mbajti edhe një prezantim me rastin e 70-vjetorit të Këshillit të Evropës me pjesëmarrjen e më shumë se 100 studentëve dhe stafit akademik të Fakultetit Juridik në Universitetin Publik të Tiranës. Ai i njohu pjesëmarrësit me punën e organizatës për të siguruar dhe përmirësuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut bazuar në përvojën e tij si ish-Komisioner i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut.
Pjesë e këtij sesioni të hapur ishin edhe Dekani i Fakultetit Juridik, z. Artan Hoxha dhe Shefja e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, znj. Jutta Gützkow, të cilët theksuan rëndësinë e Konventës Evropiane mbi Të Drejtat e Njeriut dhe Kartën Sociale Evropiane drejt arritjes së standardeve të përbashkëta për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit për shtetasit shqiptarë.
 
Studentët patën mundësi të bëjnë pyetje në lidhje me rolin e Komisionerit për të Drejtat e Njeriut për përmirësimin e standardeve të minoriteteve, të drejtën e protestës demokratike, dhunës në familje dhe zbatimin nga Shqipëria të vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.