Diplomohet gjenerata e trembëdhjetë e Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike

E Enjte, 16 Janar 2020



Rreth 27 udhëheqës të rinj u diplomuan sot pas përfundimit të ciklit akademik pranë "Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike". Kjo është gjenerata e trembëdhjetë e pjesëmarrësve të programit, që mbledh së bashku përfaqësues të forcave politike, të zgjedhurve vendorë, nëpunësve publikë dhe aktivistëve civilë, me qëllim ndërtimin e një komuniteti të udhëheqësve demokratikë. Nënkryetarja e Parlamentit znj. Vasilika Hysi, ambasadori Zviceran në Tiranë, z. Adrian Maître dhe shefja e zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë znj. Jutta Gützkow, shpërndarë certifikatat dhe përgëzuan pjesëmarrësit për këtë moment të rëndësishëm.


Znj. Vasilika Hysi, duke vlerësuar nivelin e lartë professional të pjesëmarrësve në programin e Shkollës, i ftoi ata që të ofrojnë ekspertizën e tyre pranë komisioneve parlamentare. “Është në interes të vendit, të Akademisë dhe të Kuvendit të Shqipërisë, që të gjithë ju pjesëmarrës dhe alumnë të angazhoheni në strukturat e Kuvendit të Shqipërisë në lidhje me integrim evropian dhe të kontribuoni me ekperiencën tuaj në këto procese”, u shpreh znj.Hysi.  


Ambasadori zviceran Maître nënvizoi në fjalën e tij: “Ndryshimi pozitiv vjen nga ata individë dhe grupe me vlera, ide dhe vizione të reja. Gjithashtu, duke patur guximin e duhur për t’i çuar përpara dhe vënë në jetë këto vlera dhe ide. Unë shoh sot tek ju 27 agjentë të ndryshimit”, nënvizoi ambasadori.  


Znj. Jutta Gützkow theksoi rolin e rëndësishëm që luan Shkolla dhe rrjeti i saj alumni për transmetimin e vlerave të Këshillit të Evropës në Shqipëri. “Në ditët e sotme demokracitë evropiane janë të ekspozuara ndaj shumë kërcënimeve. Këshilli i Evropës mbështetet tek Shkollën e Studimeve Politike për të angazhuar udhëheqës të rinj politikë dhe qytetarë në reflektim dhe veprim për të adresuar këto probleme", tha ajo.  


Z. Erjon Tase, drejtori i Akademisë së Studimeve Politike, falenderoi partnerët për mbështetjen e tyre. “Shoqëria shqiptare ka nevojë sot për dialog politik dhe besim për një të ardhme më të mirë. Të diplomuarit e sotëm, përbëjnë një shembull pozitiv dhe ofrojnë shpresë edhe për ata të rinj të zhgënjyer që duan të largohen nga Shqipëria”, u shpreh ai.  


Dy të diplomuar, z. Florian Tahiri, nënkryetar i bashkisë Durrës dhe znj. Bjorka Duka, asistente e ministres së Drejtësisë, përshëndetën pjesëmarrësit në emër të gjeneratës së tyre.  


Pjesë e ceremonisë ishte dhe prezantimi i historisë së suksesit të alumni Admir Malaj, për aktivizimin e tij qytetar katër vjecar së bashku me studentët e departamentit të Farmacisë në aderimin e vendit tonë në konventën e Këshillit të Evropës për sigurinë farmaceutike “Farmakope”.  


Ceremonia vazhdoi më tej me takimin festiv vjetor të rrjetit alumni të shkollës. Shkolla krenohet me mbi 300 alumnët e saj, të cilët aktivizohen në iniciativa të ndryshme kombëtare dhe rajonale edhe pas përfundimit të programit