E Enjte, 04 Qershor 2020

Tashmë që faza e parë e përballimit të pandemisë ka kaluar është me vlerë që të kryhet një analizë e funksionimit të shtetit të së drejtës dhe proporcionalitetit të masave të ndërmarra gjatë kësaj periudhe të gjendjes së jashtëzakonshme. Me këtë synim, Akademia e Studimeve Politike inicioi gjatë muajit maj një seri diskutimesh online me një grup të alumnëve të saj, kryesisht ekspertë të jurisprudencës. Idetë dhe gjetjet e këyre diskutimeve shërbyen për të hartuar këtë dokument analizues mbi ndryshimet ligjore dhe aktet normative që janë ndërmarrë gjatë muajve të fundit nën situatën e emergjencës.
Analiza sjell disa problematika në fushëveprimin e deritanishëm ligjor gjatë muajve të parë të emergjencës si dhe rekomandime përkatëse që shpresojmë të shërbejnë për të siguruar një mbarëvajtje më të mirë të shtetit të së drejtës në pjesën e mbetur të gjendjes së jashtëzakonshme.
Disa prej problematikave të hasura janë:
• Mungesa e procesit të rregullt ligjor si pasojë e pezullimit të gjykatave;
• Ndryshimet e nxituara të Kodit Penal;
• Ndihma e kushtëzuar për biznesin;
• Derogimi i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut
Bazuar në gjetjet e mësipërme, disa rekomandime që mund të ofrohen për menaxhimin e mëtejshëm të gjendjes së jashtëzakonshme janë:
-Zhvillimin e një dokumenti për vlerësimin e riskut (një detyrim i ligjit 45/2019 “Për mbrojtjen civile”) si dhe një plani përkatës veprimi institucional në situatën konkrete të COVID-19.
- Rikthimi i funksionimit të plotë të sistemit gjyqësor për të siguruar një proces të rregullt ligjor, si një nga të drejtat që nevojitet të mos kufizohet edhe në gjendjet e jashtëzakonshme. Dëmi që mund të vijë nga mungesa e drejtësisë për individët mund të jetë po aq i rrezikshëm sa ai nga pandemia.
- Koordinimin e masave shtrënguese dhe kufizimeve të të drejtave në Shqiprëri me standartet e hartuara së fundi nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, duke iu përmbajtur shembujve më të mirë të funksionimit të institucioneve demokratike në vendet evropiane.
Punimi i plotë mund të konsultohet në këtë link