Zhvillohet kursi i parë i Shkollës mbi lidershipin dhe përfaqësimin

E Shtune, 11 Korrik 2020



Nën protokollin e verdhë të masave anti-COVID, por me shumë energji dhe dëshirë për të mësuar, u zhvillua pas një periudhe pauze kursi i parë kombëtar i programit të Shkollës së Studimeve Politike 2020. Temë “Lidershipi dhe përfaqësimi politik”, u zhvillua me ekspertizën më të mirë vendase dhe të huaj në datat 10-11 korrik 2020, në ambjentet e hapura të hotel Rogner në Tiranë. Programi i Shkollës zbatohet këtë vit me mbështetjen e Këshillit të Evropës dhe Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.
 
Moduli i parë i kursit u zhvillua në formën e një trajnimi intensiv mbi lidershipin e fokusuar tek karakteri. Kurrikula e zhvilluar nga McCain Institute, pranë Universitetit të Arizona në SHBA, u trajtua nga ekspertja znj. Edlira Gjoni. Trajnimi zhvilloi një seri teknikash bashkëkohore teorike dhe ushtrimesh praktike, nëpërmjet të cilave pjesëmarrësit punuan për përmirësimin e aftësive të tyre drejtuese me objektiv fuqizimin e kapaciteteve individuale dhe ato në ekip.
 
Tematika e lidershipit u plotësua më tej në pjesën e dytë të këtij moduli me sesionin titulluar "Menaxhimi i ekipit dhe rritja e organizatës", nën drejtimin e Z. Indrit Puteci, drejtor i "Value the Person Albania".
 
Moduli i dytë i kursit u soll në formën e një bashkëbisedimi me politologun z. Ermal Hasimja mbi temën e “Përfaqësimit politik”. Nëpërmjet shembujve praktikë nga politika shqiptare dhe ajo botërore, u trajtua në një qasje kritike modeli klasik i përfaqësimit politik në demokracitë moderne.