Prezantohet raporti i monitorimit të ekstremizmit të dhunshëm online në gjuhën shqipe
E Merkure, 29 Korrik 2020

Akademia e Studimeve Politike në bashkëpunim me Qendrën e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Autoritetin Kombëtar për Çertifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike organizuan sot prezantimin e gjetjeve të një monitorimi dy mujor të situatës të elementëve të ekstremizmit të dhunshëm që qarkullojnë online në gjuhën shqipe.
Më konkretisht disa prej gjetjeve të monitorimit janë:
- Përmbajtja me qëllim përhapjen e propagandës mbi ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizimin është aktualisht prezente dhe lehtësisht e arritshme në platformat online në gjuhën shqipe (faqe interneti, bloge, rrjete sociale etj).
- Mesazhe ekstremiste dhe gjuha e urrejtjes që nxisin radikalizim nuk janë hequr apo bllokuar nga ofruesit e shërbimit të internetit apo platformat e rrjeteve sociale në gjuhën shqipe edhe pse janë publikuar disa vite më parë.
- Ndjekësit më të shumtë të këtyre mesazheve online i përkasin grupmoshës 15-25 vjeç, kryesisht të gjinisë meshkuj. Këta të rinj janë më të rrezikuar edhe për t’u rekrutuar si luftëtarë në zona të konflikteve apo për të kryer akte terroriste në komunitetet e tyre.
Disa masa konkrete që rekomandohet të ndërmerren janë:
- Ngritja dhe kapacitimi i strukturave institucionale dhe përfshirja e aktorëve të tjerë për monitorimin e vazhdueshëm mbi propagandën e ekstremizmit të dhunshëm në platformat online në gjuhën shqipe.
- Rishikimi i Strategjisë Kombëtare dhe Planit të Veprimit “Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm”, me qëllim përmirësimin e komponentit të Komunikimit Strategjik dhe krijimin e masave efikase për sigurinë online.
- Rregullime ligjore për ofruesit e platformave online (faqe interneti, bloge, rrjete sociale etj) për të siguruar pika kontakti apo ndërfaqe teknike, të cilat mund të lejojnë sinjalizimin efektiv dhe në kohë të shpejtë të materialeve ekstremiste.
- Hartimin e protokollove për ofruesit e shërbimit të internetit në ambjente publike si shkolla, qendra tregtare, bare apo edhe sheshe publike, duke synuar instalimin e filtrave, softëare të posaçëm apo masa të tjera inovative për të ndaluar aksesimin e përmbajtjeve të dëmshme në internet.
Rekomandimet e raportit për forcimin e mekanizmave të monitorimit të vazhdueshëm të hapësirës kibernetike janë ndarë më parë me institucionet ligjzbatuese dhe autoritetet rregullatore të sektorit. Tashmë këto propozime po diskutohen edhe me aktorët e tjerë të fushës me qëllim krijimin e një dialogu konstruktiv.
Ky bashkëpunim i ASP në ofrimin e ekspertizës kërkuese si dhe lehtësimit të dialogut me aktorët e ndryshëm të fushës, mbështetet nga Ambasada e SHBA në Tiranë në kuadër të programit “Rritja e rezistencës ndaj ekstremizmit të dhunshëm në ekosistemin kibernetik shqiptar”.
Dokumentat e hartuara nga projekti mund të konsultohen në lidhjet e mëposhtme:
Monitorimi i ekstremizmit të dhunshëm në platformat online në shqip
Kuadri ligjor shqiptar për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm në hapësirën kibernetike