E Premte, 25 Shtator 2020

Kursi i dytë kombëtar i Shkollës Shqiptare së Studimeve Politike me temë "Sistemet zgjedhore dhe komunikimi politik" u zhvillua në datat 25-26 shtator 2020 në ambjentet e hotel Rogner në Tiranë. Tematika e kursit, e lidhur me reformën aktuale zgjedhore në vend, synoi të thellojë njohuritë dhe argumentat e pjesëmarrësve në lidhje me "diskutimet e ditës" si listat e hapura apo ndryshimin e sistemit zgjedhor. Programi i Shkollës zbatohet këtë vit me mbështetjen e Këshillit të Evropës dhe Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë si dhe një bashkëpunim me projektin 'Bashki të Forta" të Helvetas-Swiss Intercooperation Albania, për mbështetjen e pesë pjesëmarrëseve këshilltare bashkiake.
Z. Florian Hobdari, eksperti i çështjeve zgjedhore pranë Prezencës së OSBE në Tiranë, prezantoi në ditën e parë të kursit një analizë të rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri. Diskutimi ndihmoi për të hedhur gjithashtu më shumë dritë mbi ecurinë e reformës zgjedhore aktuale dhe rolin e faktorit ndërkombëtar në arritjen e një konsensusi mbi këtë reformë.
Diskutimi mbi sistemet zgjedhore u plotësua më tej falë sesionit të politikanit dhe njërit prej ekspertëve më me eksperiencë në reformat zgjedhore, z. Kastriot Islami. Prezantimi i problematikave të hasura në sisteme të ndryshme zgjedhore në 30 vitet e fundit dhe ato të sistemit aktual ishin mjaft të vlerësuara nga pjesëmarrësit për të njohur më mirë diskursin aktual të politikës për reformën e synuar zgjedhore.
Politologu Afrim Krasniqi trajtoi gjithashtu në këtë kurs temën e "Sistemit të vlerave dhe karrierës në partitë politike", të lidhura ngushtësisht me demokracinë e brendshme partiake, si parakusht për të garantuar një përfaqësim më të mirë të vullnetit të qytetarëve dhe cilësine e listave të kandidatëve.
Moduli i dytë i kursit u fokusua në komunikimin politik dhe fushatat elektorale. Z. Neritan Sejamini, ekspert i politikave publike, solli një analizë kritike mbi strategjitë e komunikimit të partive politike, si një faktor i rëndësishëm për fushatat elektorale dhe rezultatet e zgjedhjeve. Teknikat e komunikimit politik u plotësuan më tej më një diskutim online nga SHBA me konsulentin politik Jim Arkedis, me mbi 15 vite eksperiencë në fushatat politike amerikane. Z. Arkedis solli një panoramë të mesazheve dhe strategjive që po përdorin kandidatët në fushatën elektorale presidenciale në Shtetet e Bashkuara, duke ofruar një qasje krahasimore me eksperiencën e komunikimit në Shqipëri.