Forumi i Aktoreve Vendore, shembuj pozivite per integrimin

E Premte, 09 Tetor 2020



Buxhetimi me pjesëmarrje, Komisionet Këshillimore Qytetare, kontratat sociale me kryetarin e bashkisë, aplikacionet smartphone, këto ishin vetëm disa prej shembujve pozitivë për rritjen e bashkëpunimit të autoriteteve vendore dhe shoqërisë civile, të diskutuara në Forumin e Aktorëve Vendorë. Ky takim u zhvillua online për shkak të masave ndaj COVID-19, si pjesë e aktiviteteve përmbyllëse të projektit “Duke nisur nga bazat - Roli i Shoqërisë Civile në procesin e integrimit evropian", i mbështetur nga Komisioni Evropian dhe Ministria e Ekonomisë dhe Financave nën instrumentin IPA II - 2014.

Rekomandimet e ekspertëve dhe vetë aktorëve vendorë në Shkodër, Lezhë, Durrës, Fier dhe Vlorë, të kapacituar në kurset e Akademisë së Trajnimi dhe diskutimet e mëtejshme me studentët dhe grupet e tjera aktive në këto qytete, do të shërbejnë për të hartuar një publikim elektronik të praktikave më të mira të bashkëpunimit vendore.

Akademia e Studimeve Politike po e zbaton këtë projekt në partneritet me Fondacionin për Mbështetjen e Demokracisë Vendore në Poloni dhe Institutin Ndërkombëtar të Socilogjisë pranë Universitetit të Goricias në Itali. Projekti synoi të nxisë një dialog të strukturuar ndërmjet organizatave të shoqërisë civile dhe Autoriteteve Lokale me qëllim ofrimin e kontributit të përbashkët në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian të vendit. Ky objektiv duhet të arrihet duke identifikuar interesat e përbashkëta, partneritetet potenciale, si dhe pengesat për angazhimin e mëtejshëm të shoqërisë civile, në veçanti në nivelin lokal të qeverisjes.

Këta aktorë vendorë synohet që të vazhdojnë më tej bashkëpunimin e nisur përmes ngritjes së Forumit të Shoqërisë Civile si një platformë e qëndrueshme e shkëmbimit dhe bashkëpunimit, bazuar në përvojën polake dhe praktikat e tjera më të mira evropiane. Objektivi përfundimtar i projektit është të përgatisë këta aktorë vendorë për të bashkëpunuar edhe më tej për vendimmarrjen e orientuar drejt nevojave të qytetarëve.