Zhvillohet kursi i tretë i Shkollës mbi integrimin evropian

E Diele, 15 Nentor 2020



Perpektiva e Integrimit Evropian ishte në fokusin kryesor të kursit të tretë kombëtar të Shkollës së Studimeve Politike. Trajnimi u zhvillua në Tiranë në datat 13-14 nëntor, në formatin hibrid, për të ofruar mundësinë e diskutimeve me lektorë të përzgjedhur vendas dhe të huaj.

Bashkëbisedimi online me analistin e  njohur ndërkombëtar z. Radu Magdin trajtoi sfidat me të cilat përballet "Politika e zgjerimit të Bashkimit Evropian" si rezultat i krizës financiare, emigracionit dhe së fundi dhe pandemisë. Ndërkohë modelet e shtetit të mirëqënies sociale që orienton situata e COVID-19 u prezantuan në vijim nga eksperti i ekonomisë dhe rektori i Universitetit Mesdhetar, z. Adrian Civici. Rruga e deritanishme e Shqipërisë drejt BE-së, së bashku me hapat e mëtejshëm në rast të hapjes së negociatave, u prezantuan nga z. Gledis Gjipali, drejtor i Lëvizjes Evropiane në Shqipëri.
 
Në ditën e dytë të kursit, cështja e përfitimeve dhe kostove  ekonomike si rezultat i integrimit u diskutuan me z. Gentian Elezi, drejtor i Institutit Agenda dhe ish-zv.ministër i Integrimit. Sesioni i fundit, me ekspertin ndërkombëtar të EURALIUS dhe ish-zv.ministrin e Drejtësisë, z. Idlir Peçi, trajtoi çështjen e reformës në drejtësi si një parakusht për plotësimin e kapitullin 24 të integrimit evropian, por edhe përmirësimin e funksionimit të shtetit të së drejtës në vend.

Programi i Shkollës zbatohet këtë vit me mbështetjen e Këshillit të Evropës dhe Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë si dhe një bashkëpunim me projektin "Bashki të Forta" të Helvetas-Swiss Intercooperation Albania, për mbështetjen e pesë pjesëmarrëseve këshilltare bashkiake.