ASP angazhohet për monitorimin e përdorimit të burimeve shtetërore në zgjedhje

E Merkure, 18 Nentor 2020



Akademia e Studimeve Politike do të angazhohet në monitorimin e financimit dhe përdorimit të burimeve shtetërore në fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021. Projekti "Forcimi i Transparencës së Zgjedhjeve në Shqipëri" (SETA) mbështetet financiarisht ambasada e Hollandës në Tiranë dhe programi i përbashkët  Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian “Aksioni kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri”. Kontrata për këtë bashkëpunim u firmos sot mes ambasadores znj. Guusje Korthals Altes dhe drejtorit të ASP, z. Erjon Tase.

Projekti do të fokusohet në tre komponentë kryesorë:

1. Informimin dhe ndërgjegjësimin e aktorëve zgjedhorë dhe publikut të gjerë për dispozitat e reja të Kodit Zgjedhor dhe mekanizmat referues për financimin e fushatës dhe përdorimin e burimeve administrative.

2. Rritjen e kapaciteteve dhe pjesëmarrjes së shoqërisë civile dhe mediave në monitorimin e zbatimit të dispozitave ligjore për financimin e fushatës dhe përdorimin e burimeve të administratës publike.

3. Lehtësimi i monitorimit dhe mbikëqyrjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe palëve të tjera të interesit mbi financimin e fushatës dhe përdorimin e burimeve shtetërore.
 
Lidhur me monitorimin e financave të fushatës elektorale, projekti do të synojë të bashkëpunojë dhe përfshijë aktivisht në proces studentët, komunitetet rinore dhe përfaqësuesit e mediave në qarqet: Shkodër, Durrës, Tiranë, Elbasan, Vlorë, Gjirokastër dhe Korcë.


Përfituesit kryesorë të projektit përfshijnë:

• Administrata e Zgjedhjeve - Në partneritet të ngushtë me Këshillin e Evropës dhe Veprimin e Bashkimit Evropian Kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri, do të lehtësohet ndihma për ndërtimin e kapaciteteve të stafit përkatës administrativ në KQZ të ngarkuar me trajnimin / edukimin si dhe mbikëqyrjen e financimit të fushatës.

• Palët e tjera të interesuara përkatëse përgjegjëse për zbatimin e dispozitave të reja ligjore zgjedhore (institucionet qendrore, autoritetet lokale, institucionet shëndetësore dhe arsimore, prokuroria dhe policia e shtetit) do të informohen dhe aftësohen për të zbatuar detyrimet.

• Përfaqësuesit e mediave - Në bashkëpunim me KiE dhe KQZ, ASP do të organizojë Trajnimin e Trajnerëve dhe do të zhvillojë trajnime që synojnë përfaqësuesit e mediave kombëtare dhe lokale.

• Përfaqësuesit e shoqërisë civile që punojnë në çështje zgjedhore - Forcimi i përvojës së tyre në monitorimin e burimeve të fushatës zgjedhore dhe përfshirjen e tyre në procesin zgjedhor.

• Studentët / aktivistët rinorë – Të rinjtë në shtatë rajone do të trajnohen dhe angazhohen në fushata informuese dhe monitorimin e financave të fushatës zgjedhore dhe keqpërdorimin e burimeve të administratës publike.

• Publiku në përgjithësi - Fushatat informuese si dhe rritja e transparencës së procesit zgjedhor që do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në votën e qytetarëve dhe besimin e tyre në zgjedhje.