Qëndrim i përbashkët për kufizimet e burimeve shtetërore në fushatë

E Premte, 15 Janar 2021



Që prej 25 dhjetorit kanë nisur efektin e tyre dispozitat e reja të Kodit Zgjedhor, të cilat parashikojnë ndalimin e veprimtarive publike dhe përdorimit të burimeve shtetërore në një periudhë 4 mujore deri në zgjedhjet për Kuvend. Këto kufizime synojnë krijimin e kushteve të drejta e të barabarta për të gjithë kandidatët dhe partitë politike që marrin pjesë në procesin zgjedhor, si dhe për mospërdorimin e fondeve dhe të burimeve publike për qëllime partiake. Keqpërdorimi i burimeve të tilla mund të dëmtojë cilësinë e demokracisë dhe funksionimin e institucioneve shtetërore.

Ne, një grupim i Organizatave të Shoqërisë Civile, ndoqëm me vëmendje procedurën e parë administrative të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ndaj drejtuesit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Lushnjë, lidhur me publikimin e fotove të ndarjes së lejeve të legalizimi të shtëpive të qytetarëve nga një deputet. Duke inkurajuar KQZ të vazhdojë më tej monitorimin në rast të mosrespektimit të dispozitave të Kodit Zgjedhor, rekomandojmë që ky proces dhe penalitetet përkatëse të jenë më funksionale, transparente dhe më institucionale ndaj cdo zyrtari të lartë shtetëror të denoncuar.

Subjektet politike dhe institucionet publike të përfshira në rastin e proceduar në Lushnjë, inkurajohen gjithashtu që të ndërmarrin procedura administrative ndaj përfaqësuesve të tyre politikë si dhe drejtuesve të strukturës, për të krijuar praktika për distancimin nga këto veprime antiligjore në të ardhmen.

Kufizimi i burimeve shtetërore në zgjedhje ishte pjesë e marrëveshjes së 5 qershorit 2020 të aktorëve kryesorë politikë në vend të përfshirë në reformën zgjedhore, si një nga kërkesat kryesore të opozitës, por edhe për të adresuar një nga rekomandimet e rëndësishme të raportit të fundit të Misionit të Vëzhgimit të OSBE-ODIHR. Kjo marrëveshje politike u përshëndet gjerësisht nga faktori ndërkombëtar, duke e cilësuar si një kusht i rëndësishëm për hapjen e negociatave të pranimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

Apelojmë të zgjedhurit politikë dhe zyrtarët e lartë subjekt i këtyre kufizimeve që të respektojnë zotimin për një lojë të ndershme gjatë këtyre muajve të mbetur deri në 25 prill, në respekt të një standarti të premtuar dhe shumëpritur nga qytetarët për të mundësuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Qytetarët meritojnë në këto zgjedhje më shumë ide dhe programe sesa shfaqje me prerjen e shiritave elektoralë apo ndarjen përpara kamerave të çelësave të banesave të rindërtuara nga tërmeti. Këto veprime jo vetëm shfaqin një personalizim të pamerituara të investimeve publike të financuara nga taksat e qytetarëve apo grante ndërkombëtare, duke krijuar pabarazi mes kandidatëve në zgjedhje, por njëkohësisht nxisin një sjellje klienteliste të votuesve me administratorët publikë, duke  shtrembëruar misionin e vërtetë të përfaqësuesit të zgjedhur.

Të bindur për rëndësinë që ka ky proces për të garantuar besimin e partive politike dhe publikut në legjitimitetin e zgjedhjeve, ne do të vazhdojmë të ofrojmë kapacitetet dhe eksperiencat tona për të siguruar monitorimin dhe zbatimin e dispozitave të Kodit Zgjedhor nga çdo aktor i përshirë. I bëjmë thirrje publikut që të jetë aleati ynë në këtë mision të rëndësishëm për të ardhmen e vendit.


Organizatat nënshkruese:
Akademia e Studimeve Politike
Instituti i Studimeve Politike
Shoqata për Kulturë Demokratike