Ekonomia post-covid, sfida dhe mundesi per rimekembjen

E Merkure, 03 Shkurt 2021



Ekonomia shqiptare, pavarësisht dy goditjeve negative të njëpasnjëshme të tërmetit të 26 nëntorit dhe pandemisë së Covid-19, ishte futur më parë në fazën e rënies të ciklit të biznesit. Ky është një nga gjetjet e dokumentit analizues të hartuar nga një grup ekspertësh alumni të Akademisë, i cili u publikua sot me synimin që t'ju vijë në ndihmë politikëbërësve në këto momente kur po diskutohen masat dhe reformat e nevojshme për të rimëkëmbur ekonominë shqiptare. 

Disa gjetje kryesore të analizës renditen si më poshtë:
  •     Analiza midis dy periudhave, viteve 2009-2012 dhe 2015-2018, tregon se pozicionimi i taksave të ulëta dhe atyre të larta i ka shërbyer më shumë qëndrimit ndaj borxhit publik sesa performancës ekonomike.
  •     Rritja ekonomike është lidhur ngushtësisht edhe me produktivitetin e faktorit punë.  Analiza krahasimore mes dy periudhave dëshmon një rënie të produktivitetit gjatë periudhës 2013-2019.

Rekomandime për politikëbërësit:

  •     Gjallerimi i rritjes ekonomike ne afatgjate duhet te jete prioritet i orientimit te reformave dhe  politikave  ne teresi drejt nxitjes se formave produktive dhe novatore te biznesit, rritjes se produktiviteti te faktorit pune dhe diversivfikimit te ekonomise.
  •     Rruga e uljes së borxhit publik duket e gjatë dhe pritet t’i nënshtrohet risqeve të konsiderueshme gjatë periudhës post-pandemi. Në këtë kuptim, është i domosdoshëm orientimi i fondeve drejt projekteve prioritare dhe mbi të gjitha tek rritja ekonomike dhe produktiviteti në ekonomi.
  •     Barra e përjashtimeve tatimore me një kosto prej 5.57% të PBB në buxhet është tepër e konsiderueshme dhe kërkon vëmendje të shtuar. Rekomandohet kushtëzimi me akt ligjor i analizave sasiore kosto-përfitime për çdo përjashtim tatimor dhe ndjekja e tyre në kohë.
  •     Rekomandohet vendosja provizore e një progresiviteti në tatim fitim dhe në të ardhurat jo nga puna deri kur ekonomia të ketë rikuperuar kostot e krizave. Burim tjetër i mundshëm është taksa e pasurisë, e cila duhet të shfrytëzohet në potencialin e saj edhe pse administrohet nga pushteti vendor.
  •     Situata aktuale e kushtëzuar nga kriza post-covid duhet të shihet jo vetëm si sfidë, por edhe si një shans që nuk duhet humbur për të rimëkëmbur ekonominë dhe për ta çuar drejt rritjes së produktivitetit dhe mirëqenies.

Ketu mund te gjeni punimin e plote.