Publikohet monitorimi i dytë mbi burimet shtetërore në fushatën zgjedhore

E Enjte, 11 Shkurt 2021



Publikohet Raporti Monitorimit të dytë të përdorimit të burimeve shtetërore në fushatën zgjedhore, i hartuar nga Akademia e Studimeve Politike në kuadër të projektit "Forcimi i Transparencës së Zgjedhjeve në Shqipëri" (SETA).
 
Ky raport pasqyron gjetjet e monitorimit dy javor të zbatimit të dispozitave të reja të Kodit Zgjedhor, në drejtim të:

  •     Praktikës ligjore dhe institucionale për zbatimin e dispozitave;
  •     Procesit të raportimit dhe kontrollit të veprimtarive të ndaluara nga KQZ gjatë periudhës 25 dhjetor 2020 – 31 janar 2021;
  •     Aktet ligjore të miratuara në shkelje të ndalimeve të parashikuara në periudhën 4 mujore para zgjedhjeve. 
Nga monitorimi i aktiviteteve të ministrave dhe kryetarëve të bashkive në shtatë qytete kryesore të vendit rezulton se vazhdojnë shkelje të Kodit Zgjedhor në mosraportim dhe promovime të investimeve infrastrukturore. Konstatohet se me kalimin e javëve zyrtarët kryesorë subjekt i ndalimeve të Kodit Zgjedhor kanë nisur të jenë të vëmendshëm ndaj shkeljeve dhe të ndryshojnë formatin e vizitave në investime, ndarjen e çelësave për banesat e rindërtuara përpara kamerave apo të kryejnë postime me imazhe foto apo video mbi investimet në infrastrukturë pa qënë vetë prezentë.
 
Në lidhje me kufizimin e akteve ligjore, konstatohet se në shkelje të Kodit Zgjedhor janë miratuar 1 ligj dhe 2 VKM , të cilat sjellin përfitime apo masa lehtësuese për periudhën katër mujore para zgjedhjeve.

Më shumë detaje si dhe një opinion ligjor mbi vendimmarjen nga strukturat e KQZ mund të gjeni në raportin e plotë.

Ky angazhim i ASP mbështetet nga ambasada e Mbretërise së Vendeve të Ulta në Tiranë dhe programi i përbashkët  Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian “Aksioni kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri”.