ASP trajnim për gazetarët për monitorimin e fushatës zgjedhore

E Premte, 26 Mars 2021



Mbi 25 gazetarë lokalë dhe profesionistë të medias u trajnuan sot mbi monitorimin e përdorimit të burimeve shtetërore dhe financimin e fushatës së saponisur zgjedhore. Pjesëmarrësit u njohën me ndryshimet e Kodit Zgjedhor dhe kufizimet e reja që parashikohen me qëllim ofrimin e shanseve të barabarta për të gjithë kandidatët në zgjedhjet e 25 prillit.

Gazetarët u ftuan që të monitorojnë zbatimin e këtyre kufizimeve nga kandidatët, autoritetet lokale dhe entet publike. Shtatë propozimet më të mira për artikuj do të mbështeteten financiarisht nga projekti SETA dhe mentorohen nga organizata mediatike "Faktoje", anëtare e Rrjetit Ndërkombëtar të Verifikimit të Fakteve.

Komisioneri Shtetëror Z. Ilirjan Celibashi dhe ambasadorja e Mbretërisë së Vendeve të Ulta Znj. Guusje Korthals Altes, theksuan rolin e rëndësishëm që kanë mediat për sigurimin e transparencës së zgjedhjeve dhe rëndësinë e tyre për të ardhmen e vendit.

Bashkëpunimi me Prezencën e OSBE në Shqipëri në këtë trajnim mundësoi ekspertizën më të mirë vendase dhe ndërkombëtare me ekspertin Z. Florian Hobdari dhe znj. Elira Çanga. Prezantimi dhe diskutimi me drejtuesen e sektorit të auditimit dhe monitorimit pranë KQZ, Znj. Valbona Ballgjini, ishte tepër I vlefshëm për të sqaruar rastet konkrete të kufizimeve në organizimin e fushatës.

Aktiviteti është pjesë e projektit "Forcimi i Transparencës së Zgjedhjeve në Shqipëri" (SETA), financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Tiranë dhe Aksioni i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit e Evropës “Veprimi kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri”.