Diplomohet gjenerata 2020 e Shkollës së Studimeve Politike

E Premte, 25 Qershor 2021



“Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike” mbylli me sukses vitin akademik për pjesëmarrësit e gjeneratës 2020. Një grup prej 15 drejtuesish të rinj u diplomuan pas përfundimit të një cikli njëvjeçar mbi mirëqeverisjen, organizimin politik, lidershipin si dhe politikat e Bashkimit Europian.

Ceremonia u përshëndet nga nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Vasilika Hysi, shefja e zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, znj. Jutta Gutzkow dhe menaxheri i programit Bashki të Forta, z. Jacques Merat, të cilët përgëzuan të diplomuarit dhe i inkurajuan ata që të transmetojnë më tej vlerat dhe njohuritë e përfituara gjatë programit.

Dy përfaqësues të grupit të diplomuar, znj. Enslemvera Zake, një nga deputetet e reja dhe z. Ermal Telha, përshëndetën në emër të grupit dhe falenderuan për mundësinë e dhënë për të rritur njohuritë e tyre ASP dhe mbështetësit e programit.

Programi i Shkollës u mbështet këtë vit nga Këshilli i Evropës në bashkëpunim me Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA). Sinergjia me projektin “Bashki të forta” i Helvetas Swiss Intercooperation krijoi gjithashtu mundësinë për të patur në grupin e pjesëmarrësve të këtij vitit akademik dhe pesë këshilltare bashkiake gra. Programi i këtij viti u zhvillua pavarësisht situatës së vështirë për shkak të pandemisë së Covid-19, duke u zbatuar në një format miks mes kurseve me prezencë fizike dhe seminareve online.