Kursi i dytë i Shkollës mbi Sistemet zgjedhore dhe komunikimin politik

E Hene, 04 Tetor 2021



Kursi i dytë kombëtar i programit Shkolla e Studimeve Politike 2021 u zhvillua në Pogradec nën temën "Sistemet zgjedhore dhe komunikimi politik". Moduli i parë i kursit trajtoi temen "Komunikimi politik dhe të folurit publik", me znj. Edlira Gjoni, eksperte e komunikimit dhe marrëdhënieve me publikun dhe drejtoreshë ekzekutive - Qendra për Ndikimin Publik. Dy tema të tjera si "E folura në publik" dhe "Teknikat e Debatit Publik" u prezantuan në trajnim, duke u ofruar pjesëmarrësve mundësinë për t'u njohur dhe praktikuar teknikat më bashkëkohore në këtë fushë.

Moduli i dytë i kursit u përqëndrua në historinë e sistemeve zgjedhore në Shqipëri dhe sfidat për përmirësimin e standardeve të zgjedhjeve. Prezantimi i z. Oerd Bylykbashi, deputet dhe anëtar i komisioneve të reformës zgjedhore gjatë 15 viteve të fundit, ofroi qasjen teorike dhe praktike për problemet e hasura në praktikimin e sistemeve të ndryshme zgjedhore.

Moduli i tretë u zhvillua si një diskutim i hapur me Z. Ermal Hasimja, studiues, me temën "Ideologjitë politike dhe përfaqësimi". Përmes shembujve praktikë të politikës shqiptare dhe ndërkombëtare, z. Hasimja paraqiti një qasje kritike ndaj modelit klasik të përfaqësimit politik në demokracitë moderne.