Publikohen rekomandimet e monitorimit të fushatës zgjedhore

E Shtune, 04 Dhjetor 2021



Në kuadër të zgjedhjeve të 25 prillit, Akademia e Studimeve Politike zbatoi projektin "Forcimi i Transparencës së Zgjedhjeve në Shqipëri" (SETA), me fokus rritjen e kapaciteteve dhe nxitjen e pjesëmarrjes së organizatave të shoqërisë civile dhe mediave në monitorimin e zbatimit të legjislacionit të rishikuar zgjedhor për (keq)përdorimin e burimeve shtetërore. Gjetjet kryesore të aktiviteteve monitoruese pjesë e projektit SETA ofruan një sërë rekomandimesh për përmirësimin e zbatimit të kuadrit ligjor, në funksion të reformës së re zgjedhore në Shqipëri. 
 
Disa prej rekomandimeve kryesore të prezantuara në raportin final monitorues janë si më poshtë vijon:

•    Përdorimi i burimeve shtetërore në zgjedhje kërkon shumë më tepër hetim dhe auditime pranë institucioneve përkatëse. Rritja e nevojshme e kapaciteteve profesionale dhe kompetencave të KQZ në këtë drejtim, mund të plotësohet edhe me përfshirjen e organeve të tjera të pavarura (psh. Kontrolli i Lartë i Shtetit) për verifikimin e shpenzimeve të kryera gjatë fushatës zgjedhore nga zyrtarët që kandidojnë.

•    Kufizimet për ministrat dhe zyrtarët që kandidojnë duhet që të shoqërohen me akte dytësore dhe rregullore të brendshme institucionale për të përcaktuar më mirë ndarjen mes detyrës dhe angazhimit politik. Kodet e Sjelljes dhe hartimi i Praktikave të mira mund të shërbejnë si një nxitje e mëtejshme për mos përdorimin e aseteve publike nga zyrtarët që kandidojnë.

•    Kodi Zgjedhor dhe ndryshimet e ligjit “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve” synuan përfshirjen e KQZ si një organ hetimor në fushën e krimeve zgjedhore. Ushtrimi i komptetencave hetimore kërkon ngritjen e një superstrukture me ekspertizë në praktikat hetimore dhe në kuadrin legjislativ zgjedhor. Do të ishte më efikas rikonceptimi i shqyrtimi administrativ të KQZ, i cili të bazohet në “parimin e kontradiktorialitetit” (denoncuesi ngarkohet me barrën e provës për pretendimet).

•    Struktura aktuale e menaxhimit të administratës shtetërore, përtej shërbimit civil, e bën të pamundur kontrollin e plotë të emërimeve dhe ndryshimeve që mund të ndodhin në prag të zgjedhjeve. Kufizimet aktuale në Kodin Zgjedhor, të cilat janë fokusuar në periudhën e fushatës zgjedhore (vetëm 1 muaj) rezultojnë të pavlefshme në rast se strukturimet e organikave me efekt zgjedhor nisin përpara afatit.

•    Përsa i përket kufizimeve për miratimin e akteve ligjore në periudhën zgjedhore, duhet të qartësohen kompetencat e KQZ për të kontrolluar vendimmarrjen e institucioneve legjislative dhe normuese në hierarkinë institucionale të vendit si Kuvendi, Këshilli i Ministrave apo këshillat bashkiakë.

•    Informimi në kohë dhe i qartë i zyrtarëve subjekt i kufizimeve si dhe publikut është i nevojshëm për ndërgjegjësimin si dhe besimin e duhur të subjekteve zgjedhore dhe qytetarëve për të bashkëpunuar në denoncimin e rasteve të abuzimit.


Më shumë detaje mund të gjeni në raportin e plotë.

Ky angazhim i ASP mbështetet nga ambasada e Mbretërise së Vendeve të Ulta në Tiranë dhe programi i përbashkët  Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian “Aksioni kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri”.