ASP apel mbi përdorimin e burimeve shtetërore në fushatën zgjedhore të 6 marsit

E Marte, 01 Mars 2022



Gjashtë organizata të shoqërise civile, ku bën pjesë dhe ASP, publikuan sot një qëndrim të përbashkët mbi problematikat që po vihen re në zbatimin e kufizimeve për përdorimin e burimeve shtetërore në fushatën zgjedhore të 6 marsit 2022. Teksti i plotë i deklaratës vijon më poshtë:


"Ne, një grup organizatash të shoqërisë civile, po ndjekim nga afër dhe vëmë re me shqetësim se problematikat e hasura më parë në përdorimin e burimeve shtetërore po përsëriten edhe në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit 2022.
Me nisjen e fushatës zgjedhore në bashkitë Shkodër, Vorë, Durrës, Dibër, Rrogozhinë dhe Lushnjë, konstatohen një sërë aktivitetesh promovuese të veprave publike dhe investimeve të ndryshme me pjesëmarrjen e anëtarëve të Këshillit të Ministrave dhe drejtuesve të lartë politikë dhe kandidatëve bashkiakë.
Rikujtojmë të gjithë zyrtarët qendrorë dhe vendorë për detyrimin e tyre për të raportuar paraprakisht pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve aktivitetet promovuese në bashkitë e përfshira në fushatën zgjedhore. Ky kufizim është një kusht i domosdoshëm për krijimin e kushteve të drejta e të barabarta për të gjithë kandidatët dhe subjektet politike që marrin pjesë në procesin zgjedhor.


Bashkohemi me qëndrimin e shprehur publikisht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për t’iu kërkuar institucioneve qendrore dhe kryetarëve të bashkive në fushatë zgjedhore respektimin e këtij detyrimi të Kodit Zgjedhor. Inkurajojmë më tej KQZ që të marrë masa të menjëhershme për të ndaluar aktivitetet e raportuara në shkelje të dispozitave të vendimit nr. 9, datë 24.12.2020, të Komisionit Rregullator, si dhe nisjen pa vonesa të hetimit ndaj rasteve të denoncuara për mungesë raportimi.


Të bindur për rëndësinë që ka ky proces për të garantuar besimin e partive politike dhe publikut në legjitimitetin e zgjedhjeve, dëshirojmë të garantojmë se ne do të vazhdojmë të ofrojmë kapacitetet dhe eksperiencat tona për të siguruar monitorimin dhe zbatimin e Kodit Zgjedhor edhe në këto zgjedhje të pjesshme.
Përdorimi i burimeve shtetërore është një nga shqetësimet kryesore të evidentuara nga Misioni i Vëzhgimit i OSBE-ODIHR si dhe raporte të tjera monitoruese vendase dhe ndërkombëtare në zgjedhjet e fundit të përgjithshme të 25 prill 2021. Rekomandimet për përmirësimin e dispozitave të Kodit Zgjedhor në këtë drejtim janë paraqitur tashmë si pjesë e punës së komisionit të sapokrijuar të reformës zgjedhore, ndaj të cilit bëjmë thirrje të realizojë një konsultim gjithëpërfshirës me organizatat e shoqërisë civile, pedagogë dhe ekspertë teknicienë të fushës.


Apelojmë gjithashtu të zgjedhurit politikë dhe zyrtarët e lartë subjekt i kufizimeve të parashikuara në Kodin Zgjedhor, të respektojnë këto dispozita duke ju përmbajtur zotimit për garantimin e një gare të ndershme gjatë këtyre ditëve të fundit të fushatës dhe ditën e zgjedhjeve. Edhe në këto zgjedhje, përkundrejt problemeve të shfaqura, qytetarët meritojnë më shumë ide dhe programe sesa shfaqje me prerjen e shiritave elektoralë.


Gjejmë rastin t’iu bëjmë thirrje qytetarëve që kanë indicje apo të dhëna lidhur me shpërdorimin e burimeve publike, shkeljet e kodit zgjedhor nga subjektet zgjedhore apo shkelje të lidhura me financimin e partive politike, ti denoncojnë ato me kujdesin e duhur në portalin e denoncimeve të KQZ-së, të publikuar në këtë link http://kqz.gov.al/kallzo/. "


Organizatat nënshkruese:
 
Akademia e Studimeve Politike

Instituti i Studimeve Politike

Shoqata për Kulturë Demokratike

Qendra Alenca Gjinore për Zhvillim

Komiteti Shqiptar i Helsinkit

Lëvizja Mjaft