E Merkure, 13 Prill 2022

Akademia e Studimeve Politike zhvilloi sot në Tiranë një seancë informuese me deputetët e Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin me temë "Marrëveshja e Gjelbër Evropiane - Sfidat dhe mundësitë në sektorin e energjisë". Prezantimet e ekspertëve të përzgjedhur për të sjellë ekspertizën dhe njohuritë praktike më të mira vendase dhe të huaja, synuan rritjen e njohurive të deputetëve mbi krizën aktuale energjitike si dhe potencialin e dekarbonizimit në kuadër të Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane.
Kriza energjitike globale dhe implikimet e saj për Shqipërinë, u trajtuan nga z.Enea Karakaçi, Drejtor i Përgjithshëm i Politikave dhe Zhvillimit të Energjisë dhe Industrisë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Z. Rodon Miraj, koordinator kombëtar i ORF ETC - GIZ Shqipëri, prezantoi rregullimet e nevojshme për nxitjen e vetëprodhimit nga burime diellore dhe eolike, kjo edhe si një zgjidhje për zhvillimin e qëndrueshëm të energjisë. Dekarbonizimi - Detyrimet dhe potenciali i Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane për vendin tonë, u trajtuan nga z. Rodjon Gjoka, drejtues i Njësisë së Mjedisit në Institutin Co-Plan dhe znj. Ray Koçi, eksperte planifikimi urban dhe drejtuese programi në qendrën “Marrëdhënie”.
Parlamentarët vlerësuan prezantimet dhe diskutimet që u vijnë në ndihmë për të ushtruar ndikimin e duhur në funksionet parlamentare si dhe sferën e tyre të ndikimit publik. Një pjesë e deputetëve shprehën gjithashtu zotimin e tyre për të qënë pjesë e Grupit informal Parlamentari të Gjelbër, të regjistruar së fundi nga Kuvendi i Shqipërisë, si një strukturë ku mund të aderojnë vullnetarisht deputetë nga të gjitha grupet politike.
Aktiviteti u organizua në bashkëpunim me Kuvendin e Shqipërisë nën mbështetjen e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Gjerman (GIZ) në kuadër të programit rajonal "Rritja e njohurive të Grupeve të Gjelbra Parlamentare joformale nga Evropa Juglindore mbi objektivat e Bashkimit Evropian mbi energjinë dhe transportin", të zbatuar nga Shkollat e Studimeve Politike të Këshillit të Evropës. Programi ka si objektiv kryesore të tij informimin dhe nxitjen e nismave konkrete ligjvënëse dhe mbikqyrëse brenda funksioneve parlamentare të Grupeve të Gjelbëra Parlamentare, si dhe krijuar bashkëpunime me grupet e rtjera në parlamentet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.