Zhvillohet kursi i katërt i Shkollës së Konsumatorit dhe Integrimit

E Shtune, 07 Maj 2022




Në datat 6-7 maj 2022 u zhvillua Moduli 4 i Shkollës për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Integrimin Europian, komponent i projektit “Nga Informimi te Veprimi – Fuqizimi i Organizatave mbi Mbrojtjen e Konsumatorit”, që po zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri në bashkëpunim më Akademinë e Studimeve Politike dhe Qendrën Alert, me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian në kuadër të fondeve IPA 2017.  Moduli u zhvillua në Tiranë me rreth 20 pjesëmarrës me profile të ndryshme nga institucionet publike qendrore dhe vendore si dhe praktikantë dhe aktivistë të mbrojtjes së konsumatorit.

Sesionet e ditës së parë u fokusuan në Legjislacionin evropian dhe atë vendas për energjinë (Kapitulli 15) nën drejtimin e Z. Rodon Miraj, koordinator kombëtar i GIZ – ORF ETC. Prezantimi i kuadrit ligjor dhe strategjive përkatëse të zhvillimit të sektorit u plotësuan më tej me diskutimin mbi sfidat për sektorin energjitik shqiptar si pasojë e reformave të ndërmarra në kuadër të dekarbonizimit, por edhe krizës globale aktuale dhe nevoja për diversifikim të burimeve. Diskutimet trajtuan njekohësisht legjislacionin dhe potencialin e energjive të rinovueshme si një alternativë diversifikimi në këtë krizë aktuale dhe pasojave të mëtejshme që do të shfaqen në kuadër të ndryshimeve klimatike.

Sesioni i tretë, nën drejtimin e Z.Robert Gajda, komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, shqyrtoi temën e konceptit të varfërisë energjitike – Të drejtat e konsumatorit vendas në optikën e krizës energjitike aktuale. Komisionieri prezantoi praktikat aktuale të respektimit të të drejtave të komuniteteve dhe shtresave në nevojë si sfidat për përmirësimin e tyre.

Agjenda e Gjelbër Evropiane, si strategjia e re për zhvillimin ekonomik dhe social të Evropës dhe rajonit tonë, ishin në qendër të sesionit të katërt të drejtuar nga znj. Ray Koçi, drejtuese programi në qendrën “Marrëdhënie”. Prezantimi i pesë shtyllave kryesore të zhvillimit dhe objektivave të ndërmarra nga vendi ynë, u shoqëruan me një set rekomandimesh të hartuara si pjesë e një studimi të hartuar nga znj. Koçi në kuadër të qendrës kërkimore pranë ASP.

Monitorimi i situatës së zbatimit të legjislacionit vendas për mbrojtjen e mjedisit dhe pasojat për shëndetin publik, ishin në qendër të sesionit vijues, me ekspertin z. Rodjon Gjoka, drejtues i Njësisë së Mjedisit në Institutin Co-Plan. Kontrollet e cilësisë së ajrit dhe zhurmave në qytetet kryesore të vendit dëshmojnë një mungesë të theksuar të zbatimit të legjislacionit aktual dhe nevojë urgjente për fokusimin e problematikave që sjellin kosto në shëndet dhe ekonominë e vendit.

Sesioni i fundit, u fokusua në konsultimin publik dhe advokimin për çëshjet mjedisore, duke trajtuar rastin e mbrojtjes së lumit Vjosa nga ndërtimet e HEC. Z.Olsi Nika, Ekspert mjedisor, Drejtor i Eco-Albania, prezantoi detyrimet dhe të drejtat nga legjislacioni për konsultimit publik si dhe rëndësinë efushatave ndërgjegjësuese për mbrojtjen e mjedisit.