ASP siguron certifikimin BRIDGE për KQZ

E Premte, 15 Korrik 2022



Komisioni Qendror i Zgjedhjeve iu bashkua mbi 40 vendeve të ndryshme që përdorin standartin ndërkombëtar BRIDGE për certifikimin e stafit të tij. 18 administratorë zgjedhorë të KQZ dhe trajnerë të tjerë vendas dhe të huaj me ekspertizë në edukimin qytetar, përfunduan me sukses trajnimin 9 ditor dhe siguruan certifikatën e trajnuesit të akredituar në nivelin e mesëm të BRIDGE. Ceremonia u përshëndet nga drejtuesja e zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, znj. Jutta Gutzkow dhe koordinatori i programit për Evropën të International IDEA, z. Erik Asplund.  

Objektivi kryesor i këtij certifikimi është rritja e kapaciteteve të KQZ-së në ofrimin e programeve moderne, cilësore dhe efektive të trajnimit dhe edukimit në përmirësimin e pjesëmarrjes në zgjedhje si dhe administrimit zgjedhor. Përvetësimi i metodologjisë BRIDGE pritet të diversifikojë dhe modernizojë metodat e ofrimit të trajnimeve të KQZ-së, por edhe ekspertëve të pavarur të kontraktuar prej saj, bazuar në parimet e të mësuarit për të rriturit dhe standartet bashkëkohore të përditësuara nga eksperienca e trupave zgjedhore në 40 vende të ndryshme.
 
Akademia e Studimeve Politike (ASP) e zbatoi këtë trajnim me mbështetjen dhe në partneritet të ngushtë me Këshillin e Evropës dhe Institutin Ndërkombëtar për Demokraci dhe Asistencë Zgjedhore (International IDEA), nën drejtimin e ekspertëve të akredituar Doina Bordeianu, Zage Filiposki dhe Corneliu Pasat.