Diplomohet gjenerata 2021 e Shkollës së Studimeve Politike

E Enjte, 30 Qershor 2022



“Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike” mbylli me sukses vitin akademik për pjesëmarrësit e gjeneratës 2021. Një grup prej 16 drejtuesish të rinj u diplomuan pas përfundimit të një cikli njëvjeçar mbi mirëqeverisjen, organizimin politik, lidershipin si dhe politikat e Bashkimit Europian. Ceremonia e diplomimit u përshëndet nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Lindita Nikolla si dhe shefja e zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, znj. Jutta Gutzkow, të cilët përgëzuan të diplomuarit dhe i inkurajuan ata që të transmetojnë më tej vlerat dhe njohuritë e përfituara gjatë programit.
 
Në përshëndetjen e saj kryetarja Nikolla nënvizoi se “Brezi që po diplomohet është i 15-ti, në këtë shkollë me prestigj në rritje, themeluar nga Këshilli i Evropës. Ju përgëzoj për përvojën pozitive që po krijoni gjatë zbatimit të programit të Shkollës nëpërmjet bashkëpunimit të përfaqësuesve të forcave të ndryshme politike si dhe të profileve të ndryshme nga administrata publike, aktivistët e shoqërisë civile dhe gazetarët, për të diskutuar së bashku mbi problematikat, ndërtuar ura bashkëpunimi dhe ofruar e zbatuar ekspertizën më të mirë profesionale për të gjetur zgjidhjet e duhura.
Kuvendi i Shqipërisë është duke bashkëpunuar prej vitesh me Akademinë e Studimeve Politike, në disa nisma bashkëpunimi për konsultimet e reformave të rëndësishme, duke përfituar nga ekspertiza e të diplomuarve dhe ekspertëve të angazhuar nga Shkolla."

Drejtuesja e Këshillit të Evropës në Tiranë, znj. Gutzkow, theksoi në fjalën e saj rolin e rëndësishëm që luan edukimi për udhëheqësit e rinj për nxitjen e një demokracie të qëndrueshme: "Demokracitë evropiane janë aktualisht nën kërcënim. Ne besojmë tek ju, të diplomuarit e sotëm, liderët e rinj politikë në Shqipëri, se do t'i përkushtoheni vlerave të Këshillit të Evropës, demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës dhe të vazhdoni të luani një rol aktiv në nxitjen e demokracisë."

Dy përfaqësues të grupit të diplomuar, Faola Hodaj dhe Rei Shehu, përshëndetën në emër të grupit dhe falenderuan për mundësinë e dhënë për të rritur njohuritë e tyre ASP dhe mbështetësit e programit.
 
Më pas ceremonia vijoi me ndarjen e diplomave për pjesëmarrësit, të cilët i bashkohen pas këtij momenti rrjetit të rreth 400 alumnëve të Shkollës, duke vazhduar të ofrojnë angazhimin e tyre profesional dhe njerëzor në nisma të ndryshme të ndërmarra.