Publikohet raporti i parë i monitorimit të kuadrit ligjor në zgjedhjet vendore 14 maj 2023

E Shtune, 11 Shkurt 2023



Publikohet raporti i parë i monitorimit të kuadrit ligjor dhe situatës së zbatimit të tij në zgjedhjet vendore 14 maj 2023, i hartuar nga Akademia e Studimeve Politike (ASP) në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Politike (ISP).  

Disa vlerësime kryesore të raportit janë:

  • Vendi po i drejtohet zgjedhjeve vendore me të njëjtat problematika të hasura në zgjedhjet e fundit dhe pa adresuara nga Kuvendi dhe partitë politike. Qytetarëve shqiptarë iu mohua në këto zgjedhje mundësia për të pasur një reformë zgjedhore për të reflektuar rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe shoqërisë civile.
  • KQZ po bën përpjekje të ndikojë pozitivisht në zgjidhjen e problematikave, por në çështje thelbësore ajo nuk ka kompetenca vendimmarrëse dhe koha deri në zgjedhje mbetet e limituar për ndërhyrje emergjente ligjore.
  • Paqartësitë e identifikuara tashmë në kompetencat në kontrollin e kufizimeve për përdorimin e burimeve shtetërore ka gjasa të lehtësojnë angazhimin e fondeve publike dhe administratës shtetërore në fushatën zgjedhore të 14 majit, edhe më në rrezik për faktin që i gjithë pushteti vendor ndodhet në duart e mazhorancës.
  • Rrjedhja e listës së përdoruesve të aplikacionit "Aktivist" krijon dyshime për një mekanizëm që nxit përfshirjen e punonjësve shtetërore në aktivitete politike. Me nisjen e fushatës zgjedhore është e nevojshme që Partia Socialiste të pezullojë përkohësisht aplikacionin, apo minimalisht, llogaritë e përdoruesve në pozicionet e administratës publike, të parashikuara në kufizimet e Kodit Zgjedhor.
Ky raport zhvillohet në kuadër të projektit “Partneritete të forta për reforma të qëndrueshme - Forcimi i rolit të shoqërisë civile në adresimin e sfidave të zgjedhjeve të lira dhe të drejta”, me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Shqipëri.

Këtu mund të njiheni me raportin e plotë.