Informimi dhe mediat në fokus të kursit të Shkollës së Konsumatorit

E Shtune, 19 Nentor 2022



Në datat 18-19 nëntor 2022 u zhvillua moduli 8 i Shkollës për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Integrimin Europian, me temë kryesore “Të drejtat e konsumatorëve në kuadër të mediave tradicionale dhe atyre online”. Trajnimi është komponent i projektit “Nga Informimi te Veprimi – Fuqizimi i Organizatave mbi Mbrojtjen e Konsumatorit”, që po zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri në bashkëpunim më Akademinë e Studimeve Politike dhe Qendrën Alert, me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian në kuadër të fondeve IPA 2017. Moduli u zhvillua në Tiranë me 22 pjesëmarrës me profile të ndryshme nga institucionet publike qendrore dhe vendore si dhe praktikantë dhe aktivistë të mbrojtjes së konsumatorit.

Sesionet e ditës së parë trajtuan rëndësinë e edukimit dhe informimit të publikut si pjesë e detyrimeve të institucioneve publike për të siguruar ndërgjegjësimin e duhur të konsumatorëve (Kapitulli 28 & Kapitulli 10). Ekspertja e ftuar, znj. Jonida Boçi, nenndrejtore e përgjithshme e ISUV, prezantoi detyrat e ISUV në rritjen e informimit dhe ndërgjegjësimit të konsumatorëve si dhe sfidat për përmirësimin e informimit të publikut, të lidhura këto me procesin e negociatave për anëtarësimit në BE. Sesioni i dytë i modulit u ndal në shpjegimin e mekanizmit ALERT dhe sfidat për rritjen e bashkëpunimit mes aktorëve të ndryshëm për sigurinë ushqimore.

Dita e dytë e modulit trajtoi të drejtën e informimit nëpërmjet një qasjeje të mbrojtjes së konsumatorit dhe shëndetit public. Të drejtat e konsumatorit për të siguruar informacion nga institucionet publike si dhe sfidat për të krijuar transparencën e duhur në sektorin publik dhe privat, u prezantuan nga znj. Elona Hoxhaj, Drejtore e Drejtorisë së Përgjithshme për të Drejtën e Informimit, Komisioneri për të Drejtën e Informimit. Diskutimi u zhvillua në periudhën e konsultimit publik për përmirësimin e ligjit “Për të drejtën e informimit” dhe ngjalli interesin e duhur të aktorëve për të përfshirë rekomandime të mëtejshme që mund të përmirësojnë këtë ligj.

Ndërgjegjësimi dhe roli i shoqërisë civile për sigurinë ushqimore ishte në qendër të sesionit të pestë të trajnimit. Ekspertja e ftuar trajtoi rolin e aktorëve të tjerë për edukimin e konsumatorit, nxitjen e angazhimit të organizatave dhe qytetarëve për të siguruar edukimin e konsumatorit, duke ofruar praktikat evropiane dhe ato kombëtare të ankimimit dhe ndjekjes së çështjeve.

Eskperienca e qendrës Alert, si e vetmja dritare e dedikuar për informimin e publikut, u nda gjithashtu si pjesë e trajnimit nga drejtori i qendrës, z. Granit Sokolaj. Prezantimi i çështjeve konkrete të trajtuara shërbyen për të shpjeguar rëndësinë e medias si aleate për të krijuar bashkëpunimin e duhur me konsumatorin si dhe rekomandime për përmirësimin e kontaktit mes institucioneve, biznesit privat dhe medias për të krijuar një informim të duhur të publikut.