E Shtune, 28 Maj 2022

Në datat 27 dhe 28 maj 2022 u zhvillua Moduli 5 i Shkollës për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Integrimin Europian, komponent i projektit “Nga Informimi te Veprimi – Fuqizimi i Organizatave mbi Mbrojtjen e Konsumatorit”. Projekti po zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri në bashkëpunim me Akademinë e Studimeve Politike dhe Qendrën Alert, me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian në kuadër të fondeve IPA 2017. Ky modul u fokusua te “Konkurrenca dhe Prokurimet Publike”.
Sesioni i parë u mbajt nga Reida Kashta (Shahollari) nga Agjencia e Prokurimit Publik (APP) e cila e nisi prezantimin e saj me një historik të shkurtër të legjislacionit mbi prokurimin publik në Shqipëri dhe shpjegoi se si ka evoluar ndër vite. Lektorja i njohu pjesëmarrësit me detyrimet e përgjithshme të Shqipërisë për të përafruar legjislacionin e fushës me Acquis e BE dhe kuadrin institucional të Grupit të Punës për kapitullin 5. Si pjesë e kuadrit ligjor të marrë në trajtim të hollësishëm ishin ligji 162/2020 “Për prokurimin publik”, VKM-të, udhëzimet dhe rekomandimet. Më tej, Kashta diskutoi mbi rekomandimet e Komisionit Europian dhe procesin Screening për këtë kapitull. Sesioni u mbyll me analizën e prioriteteve dhe sfidave për të ardhmen, ku ndër të tjera u rendit nevoja për përafrimin e kuadrit ligjor, përmirësimin e kapaciteteve administrative dhe sistemit të shqyrtimit të ankesave si dhe monitorimin e zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Prokurimin Publik 2020-2023.
Sesioni i dytë u zhvillua nga Aranita Brahaj nga Instituti Shqiptar i Shkencës, e cila i njohu pjesëmarrësit me projektin “Open Data Albania” që mbledh, përpunon dhe publikon në formate të ripërdorshme të dhëna nga institucionet publike shqiptare. Gjatë këtij sesioni, lektorja shpjegoi përdorimin e ëebsite-it dhe mënyrën e kërkimit të informacionit mbi Prokurimet Publike. Brahaj demostroi nëpërmjet një kërkimi të rastësishëm databazën e veçantë për tenderat e njësisë së qeverisjes vendore. Së fundmi, u diskutua për prokurimet publike në sektorin e shëndetësisë dhe databazën dedikuar këtij sektori.
Fjoralba Caka nga Fakulteti i Drejtësisë, UT ishte lektore e sesionit të tretë. Ajo fillimisht dha një panoramë të përgjithshme të praktikës së Gjykatës së Drejtësisë së BE lidhur me nenin 101 dhe 102 të Traktatit të Funksionimit të Bashkimit Europian (TFBE). Më tej, prezantimi u fokusua në analizimin e hollësishëm të marrëveshjejve që shtrembërojnë tregun dhe konkurrencën e lirë. Gjatë sesionit u përkufizuan marrëveshjet kartelë dhe nocioni i ‘’ndërmarrjes’’ ku sipas jurisprudencës së BE cilësohet çdo subjekt që kryen aktivitet ekonomik pavarësisht statusit juridik dhe mënyrës së financimit. Në vazhdim lidhur me nenin 102 TFBE u analizuan abuzimet shoqëruar me raste nga praktika e BE.
Gjatë sesioni të katërt Daniela Laze, Eksperte e Konkurrencës, trajtoi Kapitullin 8 “Politika e Konkurrencës”. Pjesmarrësit, si fillim u njohën me statusin aktual ligjor dhe institucional të procesit screening në lidhje me Kapitullin 8. Lektorja diskutoi mbi organizimin, përbërjen dhe vendimmarrjen e Autoritetit të Konkurrencës. Laze ndau me pjesmarrësit të dhëna mbi numrin e vendimeve të marra ndër vite nga ky autoritet. Nga viti 2021 rezultojnë 94 vendime nga të cilat: 28 marrëveshje të ndaluara, 8 rekomandime, 1 përjashtim nga marrëveshja, 31 autorizime përqëndrimesh, 16 abuzime me pozitën dominuese. Më tej, Laze mori në analizë legjislacionin, vëllimin e akteve të Acquis të BE-së mbi këtë kapitull, si edhe organizimin e grupit negociator në fushën e konkurrencës. Ajo e thelloi analizën e saj në rolin që ka Grupi Ndërinstitucional i Punës për Integrimin Europian në lidhje me konkurrencën. Në raportin e vitit 2021 Shqipëria u vlerësua se ka njëfarë niveli përgatitjeje/është e përgatitur mesatarisht në politikën e konkurrencës. Sesioni u mbyll me diskutimin mbi sfidat që ka Shqipëria gjatë procesit të harmonizimit të ligjit të konkurrencës.
Në sesionin e pestë Besar Likmeta, Kryeredaktor, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative në Shqipëri – BIRN Albania, shqyrtoi rolin që luan media në identifikimin dhe investigimin e korrupsionit në prokurime publike. Likmeta ndau eksperiencën e tij me pjesëmarrësit duke renditur arsyet se pse gazetarët hulumtojnë prokurimet publike dhe rëndësinë që ka ky proces në rritjen e transparencës, informimin e publikut dhe luftën kundër korrupsionit. U nënvizua nevoja e ndërtimit të bazave të të dhënave për të hulumtuar programe, hetime tematike për programe të mëdha prokurimesh si: rindërtimi nga tërmeti, hetime bazuar në sinjalizime dhe hetime të përqendruara në ndjekjen e parasë. Lektori i njohu pjesëmarrësit me metodologjinë dhe llojin e prokurimeve që monitorohen si: kontratat me vlera të mëdha monetare, kontratat sekrete, kontratat konçesionare dhe PPP. Në përfundim, Likmeta mori si shembull bazën e të dhënave ‘Rilindja Urbane’ dhe ‘Partneritete Publike Private’ në Shqipëri si burime për identifikimin e projekteve me qëllim monitorimin dhe raportimin nga gazetarët.
Moduli i gjashtë u mbyll me sesionin e mbajtur nga Armando Bode, Avokat Biznesi, i cili trajtoi impaktin që kanë mbi konsumatorin konkurrenca dhe kontratat publike. Bode prezantoi rolin dhe kompetencat e Autoritetit të Konkurrencës dhe disa raste praktike nga kontratat koncesionare/PPP. Gjatë sesionit u analizuan dy momente të procesit të konkurrimit që prekin shtetin dhe konsumatorin: a) rastin kur ndiqen procedura të parregullta të konkurrimit dhe b) rastin kur abuzohet me të drejtat ekskluzive. Në mbyllje të prezantimit, Bode së bashku me pjesëmarrësit analizuan rastin praktik të portit të llojit MBM në Porto Romano, Durrës. U shqyrtua Ligji nr. 104/2015 “Për miratimin e kontratës së koncesionit të formës “BOT” (ndërtim, shfrytëzim dhe transferim) dhe u analizua vendimi i Autoritetit te Konkurrencës.