E Shtune, 09 Prill 2022

Në datat 8-9 prill 2022 u zhvillua Moduli 3 i Shkollës për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Integrimin Europian, komponent i projektit “Nga Informimi te Veprimi – Fuqizimi i Organizatave mbi Mbrojtjen e Konsumatorit” që po zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri në bashkëpunim më Akademinë e Studimeve Politike dhe Qendrën Alert, me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian në kuadër të fondeve IPA 2017. Në Modulin me temë “Mbrojtja e Konsumatorit dhe Siguria Ushqimore”- Kapitulli 28 & 12 të zhvilluar fizikisht në Tiranë, morën pjesë rreth 20 pjesëmarrës të Shkollës.
Gjatë sesionit të pare, i cili u mbajt nga Dafina Hysa, gazetare, TV Scan, u prezantuan pjesëmarrësit me rolin e medias në komunikimin e riskut për konsumatorët në rastin e produkteve ushqimore ku u fokusua në katër nënçështje kryesore: Ndikimi i medias përmes informacioneve te konsumatorët, ndarja e faktit nga spekulimi, reklamat “mashtruese” dhe “Fake” news gjatë pandemisë. Së bashku me pjesëmarrësit Hysa diskutoi se si informohen konsumatorët nëpërmjet TV, emisioneve, reklamave, gazetave, mediave sociale dhe ndikimin që ky informacion ka në perceptimin e çështjeve që lidhen me konsumatorët. Znj. Hysa nënvizoi se sipas AMA informaconi merret 51% nga televizioni, 26.6% nga rrjetet sociale, 22.4% nga platforma të tjera. Gjithashtu, u diskutua fenomeni i ‘’lajmeve të rreme’’ si një rrezik i shtuar në epokën dixhitale. U përkufizuan dhe diferencuan fenomene si ç’informimi, disinformimi dhe keqinformimi. Në vazhdim u analizuan raste reale të publikuara në media dhe se si burimet e ndryshme të informacionit përdoren për të orientuar blerjet e qytetarëve. Pjesëmarresit u njohën me shpërndarjen e tregut të reklamave në Shqipëri ku sipas ISHM 80% televizioni, 6% media online (sektor kryesisht informal), 6% shtypi dhe radio, 8% shkëmbime. Hysa së bashku me pjesëmarrësit analizuan publicitetet që mund të konsiderohen si çorientuese për konsumatorët dhe ato që konsiderohen si sjellje të tolerueshme në tregti.
Sesioni i dyte u drejtua nga Luljeta Çuko, Drejtore në Drejtorinë e Politikave dhe Programeve të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, e cila analizoi detyrimet e Shqiperisë në kuadër të Kapitullit 12-të Acquis BE-së që përfshijnë politikat e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe fitosanitare. Çuko nënvizoi synimet e këtyre politikave për të siguruar një nivel më të lartë të sigurisë ushqimore, shëndetit të kafshëve, mirëqenies së kafshëve dhe shëndetit të bimëve, e njëkohësisht funksionimin efektiv të tregut të brendshëm. Në vazhdim u shpjeguan fazat e procesit të anëtarësimit dhe faza në te cilën ndodhet Shqipëria, rekomandimet e Komisionit Europian dhe zbatimet. Çuko e përfundoi prezantimin e saj duke renditur çështjet prioritare dhe sfiduese për Shqipërinë nëpërmjet analizës se qëllimeve dhe mundësive që kanë palët e ndryshme të interesit si qeveria, autoriteti kompetent, operatorët e biznesit ushqimor, fermerët dhe konsumatorët.
Sesioni i tretë u drejtua nga Yllka Allaraj nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, e cila prezantoi zinxhirin e sigurisë ushqimore dhe rolin e AKU. U analizuan pyetje si: çfarë është siguria ushqimore? Sa të sigurta janë produktet ushqimore që ofrohen te konsumatori shqiptar? Me çfarë treguesish ka të bëjë siguria ushqimore? Cilat janë këndvështrimet për sigurinë ushqimore? Më tej, Allaraj prezantoi rolin e AKU-së dhe procedurën se si zhvillohen kontrollet zyrtare të sigurisë ushqimore. Sesioni u mbyll me diskutime mes pjesëmarrësve lidhur me rastet aktuale që shqetësojnë konsumatorët.
Gjatë sesionit të katërt Admir Ago, ekspert në fushën e veterinarisë, prezantoi sfidat në mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit duke siguruar ruajtjen e shëndetit të kafshëve dhe sigurinë ushqimore të produkteve me origjinë shtazore. Ago njohu pjesëmarrësit me kuadrin ligjor dhe institucional mbi kontrollin e sëmundjeve të kafshëve, higjienën dhe mirëqenien e kafshëve, kontrollet veterinare në përputhje me aktet normative të BE-së dhe zbatimin e tyre.
Sesioni i pestë u mbajt nga Eranda Selmanaj, Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, e cila trajtoi programet e mbështetjes për zhvillimin rural në Shqipëri me fokus programin e skemave kombëtare të mbështetjes, projektin e shërbimeve mjedisore dhe programin IPARD II. Më tej Selmanaj analizoi rolin dhe funksionet e AZHBR-së si edhe standardet sipas programit IPARD II.
Ky modul u përmbyll me sesionin e gjashtë, mbajtur nga Alban Zusi, përfaqësues nga agrobiznesi, i cili njohu pjesëmarrësit me sfidat me të cilat përballet industria ushqimore dhe përshtatjet e sektorit në përpjekje për të plotësuar standardet europiane. Z. Zusi analizoi fenomenin e sigurisë ushqimore dhe se si standardet e BE-së nxisin zhvillimin e eksporteve dhe prodhimit vendas. Më tej, lektori renditi një sërë masash që duhet të merren nga sektorë të ndryshëm në mënyrë që të arrihen këto standarde si: inventarizimi i nevojave, industrializimi, bashkëpunimi arsim – prodhim.