Zhvillohet moduli 2 i Shkollës për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Integrimin Europian

E Shtune, 26 Shkurt 2022



Në datat 25-26 mars 2022 u mbajt Moduli 2 i Shkollës për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Integrimin Europian, komponent i projektit “Nga Informimi te Veprimi – Fuqizimi i Organizatave mbi Mbrojtjen e Konsumatorit” që po zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri në bashkëpunim më Akademinë e Studimeve Politike dhe Qendrën Alert, me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian në kuadër të fondeve IPA 2017.

Dy sesionet e para të këtij moduli u mbajtën nga Endri Papajorgji, i cili gjatë sesionit të parë prezantoi pjesmarrësit me Parimet Themelore të së Drejtës Europiane Private ku theksoi sistemin autonom ligjor të krijuar nga BE si një nga karakteristikat që e diferencojnë BE nga organizatat e tjera. Gjithashtu, analizoi rolin që kanë marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara në një shtet dhe efektin e drejtpërdrejtë për qytetaret që pas vendimit te GJED (Van Gend&Loos) ku u krijua ‘’Parimi i efektit të drejtpërdrejtë të së drejtës së Bashkimit Europian’’. Më tej Z. Papajorgji analizoi dhe parimin e effet-utile të ligjit të BE-së i cili është i orientuar në interpretimin e ligjit të komunitetit në kuadër te objektivave të Traktatit të BE-së. Pas interpretimit të vendimit Francovich, GJED, Z. Papajorgji i prezanoi pjesmarrësit me zbatimin horizontal të së drejtës së BE-së dhe tre kushtet që duhet të plotësohen sipas GJED në menyrë që individët të ngrenë pretendime për moszbatim të Direktivave.

Sesioni i dytë u fokusua në kazuse nga jurisprudence e GJED në kuadër të katër lirive themelore të traktatit të BE-së. U analizuan raste kur një rregull kombëtar mund të ketë efekt diskriminues ose kufizues në ushtrimin e tregtisë brenda tregut të vetëm europian. Për efekt analize u moren në shqyrtim vendime të GJED si: Komisioni vs Gjermani (Reinheitsgebot für Bier, 1987), po ashtu Dassonville, 1974. Z. Papajorgji vijoi prezantimin e tij me intepretimin e pasojave ligjore në rastin e shkeljeve të lirive themelore dhe u fokusua në të ashtuquajturën ‘’liria e ofruesit dhe e blerësit’’. Z. Papajorgji nënvizoi se sipas jurisprudencës së GJED, ‘’liri të blerësit’’ nënkupton edhe ‘’liri të shtetasit’’ duke konsideruar edhe mbrojtjen e të drejtës së konsumatorit. Gjatë këtij sesioni u interpretuan e vendime të GJED si: GB-INNO-BM 1990, Decker 1998 dhe Keck/Mithouard 1993. Z. Papajorgji analizoi lëvizjen e lirë të mallrave dhe ndalimin e konkurrencës së pandershme duke u bazuar në vendime të GJED si: Familiapress 1997, Pfeiffer vs. Löëa 1999. Në përfundim të analizës së tij Z. Papajorgji prezantoi nëpermjet shembujve lirinë e shërbimeve dhe të personave dhe u mbështet në interpretimin e vendimeve të GJED si: Gebhard 1995, Dily Mail 1988, Centros 1999, Überseering 2002, Cartesio Oktato 2008.

Sesioni i tretë i modulit u zhvillua nga Znj. Alma Bilali, Këshilltare GIZ, Mbështetje për negociatat e pranimit në kapitujt ekonomikë të acquis (SANECA). Lektorja trajtoi lëvizjen e lirë të mallrave dhe mbrojtjen e konsumatorit si temë ombrellë. Prezantimi u përqëndrua në tre aspekte kryesore: parimet dhe kërkesat në BE, detyrimet e Shqipërisë – statusi aktual i përgatitjeve për negociatat, dhe, sfidat për të ardhmen. Znj Bilali theksoi rëndësinë e lëvizjes së lirë të mallrave për BE-në si dhe nevojën e mbrojtjes së konsumatorit. Pas një pasqyrimi të bazës ligjore në BE Znj. Bilali analizoi fushën e harmonizimit për produktet jo-ushqimore ku përfshihet kërkesa e sigurisë dhe infrastruktura e cilësisë. U morën si shembull produkte reale dhe u analizuan së bashku me pjesëmarrësit elementët e sigurisë. Në vazhdim u analizuan detyrimet e Shqipërisë dhe statusi i përgatitjeve ku u pasqyrua progresi në lidhje me harmonizimin e legjislacionit (fushat e harmonizuara dhe të paharmonizuara) dhe sfidat që mbart ky proces. Një vëmendje e veçantë iu dedikua analizmit të Raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2021 mbi Kapitullin 1. Znj. Bilali e mbylli prezantimin e saj duke përshkruar fazat e negociatave, si ato organizohen dhe çfarë pritet të negociohet.

Sesioni i katërt u hap me një historik të shkurtër të krijimit të Inspektoriatit Shtetëror të Mbikqyrjes së Tregut (ISHMT), qëllimin që autoriteti mbikqyrës ka dhe fushat e inspektimit lidhur me sigurinë jo-ushqimore. Sesioni u mbajt nën lektimin e Rezarta Rajta, Sektori i Pronësisë Intelektuale, Inspektoriati Shtetëror i Mbikqyrjes së Tregut. Znj. Rajta i njohu pjesëmarrësit me kuadrin ligjor të mbikëqyrjes së tregut për produktet jo-ushqimore dhe mbikqyrjen e pronësisë intelektuale. Sa i takon pronësisë intelektuale, lektorja analizoi rastet kur ligjerisht kemi të bëjmë me shkelje të PI, kur mbajtësit e kësaj të drejte mund ti drejtohen gjykatës dhe sanksionet e parashikuara nga ligji. Znj. Rajta po ashtu, i njohu pjesmarrësit me parimet që udhëheqin punën e grupit të inspektimit si: parimi i proporcionalitetit, parimi i programimit të inspektimeve, parimi i informimit të publikut dhe mbrojtjes së konfidencialitetit, parimi i këshillimit dhe informimit. Në përfundim, pjesëmarrësit u familjarizuan me të drejtat dhe detyrimet e subjektit të inspektimit dhe bashkarisht analizuan një rast praktik mbi markat e regjistruara të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Altin Bozgo dhe Z. Arber Habili nga Administrata Doganore Shqiptare mbajtën sesionin e pestë të modulit mbi liritë e lëvizjes dhe mbrojtjes së konsumatorit. Ata njohën pjesëmarrësit me rolin e autoriteteve doganore në lëvizjen e mallrave, kuadrin ligjor mbi të cilin funksionojnë (Kodin Doganor, KD dhe Dispozitat Zbatuese të KD) dhe më pas analizuan metodologjinë e kryerjes së kontrolleve dhe menaxhimit të riskut nga ana e autoriteteve doganore. U nënvizua fakti që kontrollet mund të kryhen sa herë që autoritetet e vlerësojnë të nevojshme duke u mbështetur kryesisht në analizën e riskut. Në vijim lektorët analizuan hapat që ndjekin mallrat të cilat futen në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë: depozitimi i deklaratës përmbledhëse të hyrjes (DPH), mbërritja e mallrave, paraqitja e mallrave, vendosja e mallrave nën procedurën e magazinimit të përkohshëm. Prezantimi u përmbyll me një analizë të hollësishme të secilit hap. Diskutimi u orientua kryesisht në raste konkrete si autoritetet doganore ndikojnë në mbrojtjen e konsumatorit përmes veprimtarisë së tyre të përditshme.

Prezantimi i Evis Kopliku, Eksperte pranë Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), përmbylli modulin e dytë të Shkollës për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Integrimin Europian. Ajo prezantoi planin e veprimit 2021-2024 të Tregut Të Përbashkët Rajonal. Znj. Kopliku dhanjë përshkrim të shkurtër të samitit të Sofies të mbajtur ne nëntor 2020 dhe më tej nënvizoi nevojën për bashkëpunim në kuadër të Tregut të Përbashkët Rajonal, jo vetëm duke u bazuar në katër liritë themelore (mallra, persona, shërbime, kapital) por dhe në zgjerimin e planit të veprimit  në tregti, dixhitalizim, investim, industri dhe inovacion.