Energjia elektrike nga këndvështrimi i konsumatorit tema e modulit të 9-të

E Premte, 17 Dhjetor 2021



Moduli 9 “Energjia elektrike nga këndvështrimi i konsumatorit (Kapitujt 28 dhe 15)” i Shkollës për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Integrimin Europian u zhvillua me datat 16- 17 Dhjetor 2022.

Lektori i parë për këtë modul ishte Z. Gjergj Simaku, Zv. Ministër pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Z. Simaku diskutoi me pjesëmarrësit mbi përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë për Kapitullin 15 Energjia të BE Acquis. Për të përmbushur objektivat e BE-së për energjinë dhe klimën për vitin 2030, vendet e BE-së duhet të krijojnë një plan kombëtar të integruar 10-vjeçar për energjinë (NECP) për periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2030 dhe Shqipëria ishte pala e parë kontraktuese që miratoi NECP-në e saj. Gjithashtu, vendi ynë ka shënuar progres në fushën e mbrojtjes së natyrës, por duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje vlerësimeve mjedisore të projekteve hidroenergjetike. Makinat e vjetra duhen zëvëndësuar me makina elektrike dhe gjithashtu transporti publik duhet kthyer në një “transport të gjelbër”. Një rekomandim që sjell kursim në faturën e energjisë dhe kujdes ndaj mjedisit është përdorimi i paneleve diellore duke qenë se edhe klima e Shqipërisë është mjaft e favorshme për përdorimin e tyre.

Sesioni i dytë u zhvillua nga Z. Romir Pajenga, Drejtor pranë Drejtorisë se Tarifave dhe Çmimeve, Enti Rregullator i Energjisë. Z. Pajenga nisi me një prezantim mbi Entin Rregullator dhe pse lind nevoja për të patur një ent rregullator. Enti rregullator është është një autoritet shtetëror i cili është përgjegjës për ushtrimin e një autoriteti të pavaruar për rregullimin e shërbimeve publike me natyrë tregtare dhe natyre jotregtare, sipas interesit që lidhet me shërbimin publik. Z. Pajenga shpjegoi modelin “PRICE CAP”, model i cili lejon përllogaritjen e tarifave dhe cmimeve të rregulluara për energjinë elektrike. Ai bëri një panoramë të gjendjës së emergjencës për furnizim me energji elektrike në vendin tonë. Në vemëndje të pjesëmarrësve, ai solli disa nga rekomandimet e Komisionit Europian në kuadër të procesit integrues të vendit dhe diskutoi me ta mbi sfidat e së ardhmes së sektorit të energjisë.

Sesionin e tretë, e zhvilloi Z. Lorenc Gordani, Lektor pranë Universitetit “Tirana Business”. Ai informoi pjesëmarrësit mbi hapjen e tregut dhe zhvillimet më të fundit të Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX) dhe zhvillimi i potencialit të vendit në investime të rinovueshme fotovoltaike. Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike- ALPEX është nje shoqëri me sipërmarrje të përbashkët në pronësi të Operatorëve të Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë (OST) dhe Kosovës (OSTT).

Sesioni i rradhës u mbajt nga Z. Sidrit Tako, Drejtor i AlbGaz sh.a, i cili informoi pjesëmarrësit mbi strategjitë e zhvillimit të gazit në Shqipëri. Shoqëria Albgaz Sh.a, funksionon si një operator i kombinuar duke kryer veprimtarinë e Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së gazit natyror në Republikën e Shqipërisë. Z. Tako diskutoi mbi qëllimin e ligjit 102/2015 “për sektorin e gazit natyror” që është garantimi i furnizimit të qëndrueshëm dhe të sigurt me gaz natyror të klientëve, nëpërmjet krijimit të një tregu konkurrues dhe të integruar me tregjet rajonale e europiane, për një shërbim me cilësi të lartë, kosto të arsyeshme, si dhe duke respektuar kërkesat për mbrojtjen e mjedisit. Një vëmendje të veçantë gjatë sesionit mori edhe Master Plan i Gazit dhe projektet prioritare ku disa prej tyre janë: Terminali GNL në Vlorë, Gazsjellësi Vlorë – Fier (Interkoneksion me TAP), Infrastruktura e GNL në shkallë të vogël (SS LNG), Gazsjellësi Adriatiko – Jonian (IAP).

Në sesionin e pestë dhe të fundit, folës ishte Z. Gjergj Erebara pranë Balkan Investigative Reporting Network (BIRN). Ai vuri theksin tek roli i medias në investigimet për prodhimin e energjisë elektrike në Shqipëri. Ai gjithashtu ndau disa artikuj të BIRN ku janë identifikuar disa raste problematike që kanë një ndikim negativ mbi konsumatorin.