Grupi i Gjelbër Parlamentar sesion informues mbi politikat e transportit

E Hene, 17 Korrik 2023



Grupi i Gjelbër i Kuvendit të Shqipërisë zhvilloi sot një seancë informuese me temë “Transporti publik i gjelbër – Politikat evropiane dhe incentivat e nevojshme në Shqipëri”. Prezantimet e ekspertëve sollën eksperiencën dhe studimet më të mira vendase dhe të huaja duke ofruar rekomandime konkrete për inisiativa ligjore që mund të ndërmerren nga deputetët. Kryetari i Grupit të Gjelbër Z. Arben Pëllumbi, theksoi në fjalën e tij përshëndetëse ndryshimet ligjore që janë diskutuar në komisionet parlamentare së fundi si incentivat për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burime të rinovueshme si dhe ligji për gazet serrë, si nisma që synojnë zbatimin e objektivave të Agjendës së Gjelbër Evropiane.

Z.Ferdinand Xhaferaj, zv.kryetar dhe përgjegjës i komitetit për transportin dhe mobilitetin pranë Grupit të Gjelbër, nënvizoi gjithashtu fokusin në politikat e transportit dhe mobilitetit urban si sektori kryesor që mund të ndikojë në uljen e emetimeve të dioksidit të karbonit dhe gazeve të tjera ndotëse me ndikim në shëndetin publik dhe ndryshimet klimatike. Z. Erjon Tase, drejtor i Akademisë së Studimeve Politike, konfirmoi në fjalën e tij vijimin e mbështetjes për rritjen e kapaciteve të Grupit të Gjelbër edhe për nëj periudhë të mëtejshme 2-vjeçare në kuadër të mbështetjes së Bashkëpunimit Ndërkombëtar Gjerman (GIZ) dhe Bashkimit Evropian.

Sesioni vijon me prezantimin e incentivave të nevojshme legjislative dhe fiskale për të mundësuar zhvillimin e transportit publik të gjelbër. Znj. Erisa Nesimi, eksperte e planifikimit të transportit publik – GIZ Albania dhe z. Rixhin Qoshja, ekspert pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transporti Rrugor, ofruan disa gjetje të studimeve të zhvilluara nga projekti Transport i Qëndrueshëm Publik në Tiranë i GIZ. Analizat dhe propozimet e siguruara nga studimet në transportin publik në kryeqytet mund të shfrytëzohen si modele edhe për qytetet e tjera me zhvillim të shpejtë urban dhe replikohen në politika në nivel kombëtar. Pjesa e dytë e prezantimeve u fokusua në studimet e fundit të realizuara mbi nivelin e ndotjes së ajrit, ku transporti mban peshën kryesore për emetimet e dëmshme. Prof. Dr. Besnik Baraj, u rikthye mes kolegëve të tij parlamentarë për të prezantuar gjetjet e matjeve të kryera për nivelin e grimcave të imta që shkaktohet kryesisht nga djegia karburanteve në qytetin e Tiranës. Rekomandime të mëtejshme për nevojën e rritjen së matjeve dhe kontrolleve ndaj institucioneve ligjzbatuese ofroi dhe prezantimi i znj. Valbona Mazreku, drejtore ekzekutive e Milieukontakt Shqipëri.

Deputetët vlerësuan rekomandimet që mund të kthehen në nisma konkrete për ndryshime ligjore si dhe diskutimet që u vijnë në ndihmë për të ushtruar ndikimin e duhur në funksionet parlamentare si dhe sferën e tyre të ndikimit publik.

Aktiviteti u organizua nga Akademia e Studimeve Politike në bashkëpunim me Kuvendin e Shqipërisë, me mbështetjen e Qeverisë Federale Gjermane dhe Bashkimit Evropian, në kuadër të programit të zbatuar nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Gesellschaft GmbH (GIZ) "Rritja e njohurive të Grupeve të Gjelbra Parlamentare joformale nga Evropa Juglindore mbi objektivat e Bashkimit Evropian mbi energjinë dhe transportin". GIZ bashkëpunon me Shkollat e Studimeve Politike të Këshillit të Evropës në rajon me objektiv kryesor informimin dhe nxitjen e nismave konkrete ligjvënëse dhe mbikqyrëse brenda funksioneve parlamentare të Grupeve të Gjelbëra Parlamentare, si dhe krijuar bashkëpunime me grupet e tjera në parlamentet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.