E Marte, 22 Gusht 2023

Drejtuesja e re e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, znj. Giulia Re, priti në një takim prezantues drejtorin e Akademisë së Studimeve Politike, Erjon Tase. E rikthyer në Shqipëri pas një eksperience të mëparshme profesionale në organizatat ndërkombëtare, zonja Re është e familjarizuar me zhvillimet në Shqipëri dhe programet zhvillimore të vendit. Kjo eksperiencë bashkëpunimi me aktorë vendas dhe të huaj është një mundësi e mirë për të siguruar fuqizimin e rolit të Këshillit të Evropës dhe zbatimit të programeve të ndryshme të asistencës që ofron kjo organizatë e rëndësishme.
Gjatë takimit u diskutua mbi bashkëpunimin në të ardhmen dhe nismat kryesore që synojnë ngritjen e kapaciteteve të profesionistëve të rinj në Shqipëri për të kontribuar në proceset demokratike. Akademia do të vijojë të mbështetet si një nga programet më të sukseshme të Këshillit të Evropës në Shqipëri dhe në 20 vende të tjera në Europë, Azi dhe Afrikë.
Që nga themelimi i saj në vitin 2007 me mbështetjen e Këshillit të Evropës, Akademia e Studimeve Politike vijon të ofrojë një qendër formimi dhe ndërveprimi për shumë udhëheqës të rinj politikë dhe qytetarë për të zbatuar modelet më të mira të qeverisjes dhe zhvillimit.