Alumnët e ASP mentorë të të rinjve që nisin karrierën në vendlindje

E Premte, 26 Janar 2024



Rreth 109 studentë dhe të rinj në Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër, Kurbin, Elbasan, Korçë dhe Gjirokastër u këshilluan drejtëpërdrejtë gjatë 3 muajve të fundit nga 12 12 alumnë të ASP dhe profesionistë të tjerë në administratën vendore, biznesin privat dhe shoqërinë civile në këto qytete. Duke orientuar nisjen e një karriere profesionale si dhe falë mentorimit, u synua krijimi i një mjedisi të duhur që të rinjtë të ndërtojnë karrierën e tyre në vendlindje pas përfundimit të studimeve.  

Projekti “Së bashku për të zhvilluar karrierën në Shqipëri” zbatohet nga Akademia e Studimeve Politike me mbështetjen financiare të Agjencisë Kombëtare të Rinisë dhe Ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët në kuadër të Thirrjes së dytë të projekteve për Rininë.

Disa prej bashkëpunimeve të suksesshme ishin këshillimi për nisjen e start-up në Tiranë dhe Elbasan, ndërlidhja për punësimin në aeroportin e ri të Vlorës, guidave turistike në Gjirokastër si dhe praktikave pranë drejtorisë së transportit në Berat.

Mentorimi me grupet e krijuara vazhdon edhe pas përfundimit të periudhës së zbatimit të projektit, duke krijuar besimin se kontaktet e vendosura mes të rinjve dhe mentorëve në qytetin e tyre do të jenë një mundësi komunikimi i vazhdueshëm edhe në të ardhmen.