Dialogu Publik për përdorimin e Qëndrueshëm të Energjisë në Shqipëri

E Hene, 24 Tetor 2011



TIRANE 04.10.2011

U zhvillua në ambjentet e ambasadës gjermane në Tiranë konferenca e parë kombëtare me temë “Dialogu Publik për përdorimin e Qëndrueshëm të Energjisë në Shqipëri”. Në këtë aktivitet të organizuar nga Akademia e Studimeve Politike (ASP) dhe GIZ Albania, në bashkëpunim me KfW dhe Institutin Goethe, morën pjesë antarët e Kuvendit të Shqipërisë (Z. Jemin Gjana, Znj. Mimi Kodheli, Z.Sherefedin Shehu, Z. Besnik Bare, Z.Selami Xhepa) nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Z. Edmond Panariti, përfaqësues të institucioneve që hartojnë legjislacionin përkatës, drejtues të organizatave të arkitektëve, mjedisit, biznesit, bankave si edhe përfaqësues të mediave.

Të pranishmit i përshëndeti zv.ambasadori gjerman në Tiranë, Z. Erik Tintrup, i cili shpjegoi rëndësinë që i kushton vendi i tij eficencës së energjisë si edhe programet e ndryshme që zbatohen në Shqipëri në lidhje me këtë temë. Aktiviteti u organizua në kuadër të “Tetorit Gjerman“, i cili këtë vit trajton nën leitmotivin “Klimë – Energji – Ndryshim“, tema të së ardhmes sikurse janë ndryshimet klimaterike, energjitë e rinovueshme dhe eficenca e energjisë.

Në formën e një tryeze të rrumbullakët, politikëbërës, ekspertë si dhe përfaqësues të shoqërisë civile e të biznesit, diskutuan hapur mbi temën e përdorimit të qëndrueshëm të energjisë dhe problematikën e zbatimit të legjislacionit aktual. Propozimet e shoqatës së arkitektëve si edhe përfaqësuesve të biznesit, u regjistruan nga nënkryetari i Bashkisë së kryeqytetit, Z.Panariti si mjaft të vlefshme për institucionin që ai drejton. Ai shprehu qëllimin e tij për të vënë në jetë disa prej këtyre propozimeve, të cilat kishin si qëllim stimulimin e përdorimit të termoizolimit apo praktikave më të mira evropiane në ndërtimet e reja.

Deputetët Sherefedin Shehu, Besnik Bare dhe Mimi Kodheli, vlerësuan këtë dialog të hapur dhe u zotuan për një nxitje të mëtejshme të debatit me grupet e interesit përpara miratimit në Kuvend të projektligjit të ri të “Eficencës së energjisë”.

Ky është aktiviteti i parë kombëtar i përfshirë në këtë nismë të Akademisë së Studimeve Politike dhe GIZ Albania, ndërkohë që pritet që ky dialog të zhvillohet më tej në konferencën e dytë kombëtare në muajin nëntor, si edhe në atë rajonale, që do të zhvillohet në Beograd në datat 17-19 tetor 2011 me pjesëmarrjen e presidentit serb dhe autoriteteve të tjera të larta evropiane dhe rajonale.

Në përputhje me Direktivat Europiane  dhe paketën e udhëzimeve për energjinë dhe mbrojten e mjedisit, reduktim 20% i gazeve me efekt serë, prodhim i 20% të energjisë nga burime të rinovueshme dhe rritje 20% të eficiencës së energjisë deri ne 2020 (të njohur si 20-20-20 ne 2020), edhe Shqipëria ka vendosur objektiva ambicioze; rritjen e eficiencës së energjisë me 9% deri në vitin 2018. Shqipëria dëshiron në këtë mënyrë të arrijë sa më shpejt të jetë e mundur objektivin 20-20-20.