Publikohet studimi mbi mobilitetin urban

E Merkure, 04 Mars 2020



Mbi 31 % e popullsisë së Shqipërisë jeton aktualisht në kryeqytet dhe Tiranës i shtohen 70 persona çdo ditë si pasojë e migracionit të brendshëm nga qytetet e tjera. Politikëbërësit ndodhen sot përballë një sfide të ngjashme në të gjithë qytetet e mëdha: si të përmirësohet lëvizshmëria e qytetarëve dhe në të njëjtën kohë të zvogëlohet trafiku, aksidentet dhe ndotja e mjedisit. Ky studim i hartuar falë bashkëpunimit me Institutin Co-Plan ofron një pamje të situatës së mobilitetit në Shqipëri dhe potencialit për të ofruar zgjidhje për bashkinë Tiranë si dhe qytete të tjera të mëdha në vendin tonë.
 
ASP është duke bashkëpunuar prej dy vitesh me deputetët dhe stafin e komisionit parlamentar për veprimtaritë prodhuese, tregtinë dhe mjedisin, për forcimin e kapaciteteve të tyre dhe bashkëpunimin me deputetët e parlamenteve të rajonit, për të ndikuar në procesin e vendimmarrjes politike në këtë fushë. Publikimi u drejtohet gjithashtu publikut të gjerë më qëllim ndërgjegjësimin e tyre mbi rëndësinë e mobilitetit urban.

Të gjitha planet e zhvillimit dhe investimet në infrastrukturë, që mund të ndërmeren me fokus përmirësimin e mobilitetit urban, nuk mund të jenë të suksesshme pa ndryshimin e sjelljes së qytetarëve. Secili prej nesh mund të sjellë ndryshimin e duhur duke hequr dorë nga zakonet e gabuara të transportit me automjeteve private dhe promovuar ecjen, pedalimin apo transportin publik. Falë këtyre gjesteve të vogla, por të rëndësishme, mund të sigurojmë një lëvizje më të sigurtë, më ekonomike dhe të shëndetshme në qytete.

Ky publikim është pjesë e projektit “Bashkëpunimi rajonal dhe zhvillimi i kompetencave të parlamentarëve të Evropës Juglindore mbi efiçencën e energjisë, ndryshimet klimatike dhe mobilitetin urban”, i cili zbatohet nga Akademia e Studimeve Poltike me mbështetjen e Deutsche Gesellschaft für Interntionale Zusammenarbeit (GIZ) - Fondi i Hapur Rajonal për Evropën Juglindore - Efiçenca e Energjisë (ORF-EE), financuar nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ).

Dokumenti i plotë