Dorëzohet kërkesa për ndryshimin e rregullores mbi veprimtaritë e ndaluara

E Enjte, 04 Mars 2021



Akademia e Studimeve Politike në bashkëpunim me Shoqatën për Kulturë Demokratike dhe Institutin e Studimeve Politike dorëzoi zyrtarisht pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve një kërkesë për ndryshimin e rregullores për raportimin e veprimtarive të ndaluara të zyrtarëve të lartë publikë gjatë periudhës parazgjedhore.
 
Eksperienca e këtyre dy muajve të parë të funksionimit të kufizimeve të parashikuar në Kodin Zgjedhor si dhe vendimmarrja e Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve (KAS), ka bërë të domosdoshme rishikimin e rregullores së miratuar nga Komisioni Rregullator i KQZ. Për më tej, rrethanat dhe sjellja e palëve subjekt i kufizimeve të parashikuara mund të krijojnë nevojën që këto urdhërime të ndryshohen dhe përmirësohen kjo për të garantuar frymën e Kodit Zgjedhor.
 
Më konkretisht tre propozimet e paraqitura janë:
 

  • Ndryshimi i pikës 1.1 e nenit 3 të Vendimit 9/2020 duke hequr togfjalëshin “për të cilat janë vënë rishtazi apo posaçërisht në dispozicion, apo janë transferuar fonde publike jo sipas planit buxhetor të miratuar, në periudhën 4 (katër) mujore para datës së zgjedhjeve”.
  • Përfshirjen e mediave sociale në përkufizimin "media publike" duke evituar mangësie dhe inkoherence në identifikimin dhe përcaktimin se çfarë përbën “veprimtari publike”.
  • Qartësimin e përgjegjësisë administrative të zyrtarëve subjekt i kufizimeve të veprimtarive të ndaluara.
Kërkesa u mor në dorëzim dhe pritet të shqyrtohet me tej nga Komisioni Rregullator pranë KQZ në ditët në vijim.
 
                                                                                                                                                                                            Kërkesa e plotë mund të konsultohet këtu